Të gjithë qytetarët mund të tërheqin kartat e identitetit dhe pasaportat e prodhuara tashmë si dhe mund të aplikojnë për dokumente të reja biometrike nga java e ardhshme, u shpreh ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në një prononcim të bërë në lidhje me këtë çështje, duke u dhënë kështu zgjidhje fluksit të kërkesave për këto dokumente.

Në të gjitha pikat e shpërndarjes dhe aplikimit, qytetarët mund të paraqiten pas rezervimit të një orari takimi në adresën që do të bëhet publike.  Pas ndërprerjes për disa kohë të aplikimeve për kartat e identitetit dhe pasaportat, tashmë në kuadër të masave lehtësuese të shërbimeve, ka filluar puna për aplikimet edhe për kartat e identitetit, edhe për pasaportat.

Gjatë kësaj periudhe ka vazhduar edhe shpërndarja e pasaportave dhe kartave të identitetit të prodhuara për qytetarët. Ndërkohë që ka filluar aplikimi për karta ID dhe pasaporta të reja, aplikim i cili kryhet pranë zyrave të koncesionarit dhe pranë zyrave të Komisariateve të Policisë.

Për të evituar radhët dhe për të evituar mundësinë e infektimit me virusin COVID-19 është menduar që aplikimi të bëhet vetëm pas caktimit të orarit përkatës të kohës së paraqitjes së qytetarëve pranë zyrave të aplikimit.

Dhe për këtë, duke filluar nga java tjetër do të jetë në dispozicion një aplikacion, i cili u mundëson qytetarëve, të aplikojnë duke caktuar paraprakisht orarin e paraqitjes pranë zyrës përkatëse, në Komisariatin e Policisë apo pranë koncesionarit ku aplikohet për pasaporta.

Policia thotë se është e rëndësishme që paraqitja pranë zyrave të bëhet vetëm pasi është bërë aplikimi dhe pasi është marrë orari përkatës, përndryshe nuk do të ofrohet shërbim, pa këtë kusht të plotësuar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re