Testi i koronavirusit nuk do të jetë më i detyruar për të hyrë në Mal të Zi. Ministrja e Shëndetësisë Jelena Boroviniq Bojoviq tha se testi nuk do të jetë i nevojshëm as për shtetasit malazezë, as për të huajt.

“Hapja e kufijve nuk paraqet rrezik në rritjen e pandemisë së COVID-19, ashtu siç nuk paraqet rrezik as ardhja e shtetaseve të huaj në Mal të Zi. Rreziku shfaqet nga infektimi i brendshëm i qytetarëve në mungesë të disiplinës”, tha zonja Bojoviq.

Sipas saj, lehtësimi i masave është bërë pas përmirësimit të situatës epidemiologjike. Zonja Bojoviq tha se shkalla e përdorimit të kapaciteteve spitalore aktualisht është 57 për qind, krahasuar me gjysmën e dytë të dhjetorit kur ka qenë 67 për qind.

Ajo shtoi se po zhvillohen bisedime për blerjen e vaksinës me disa prodhues nga BE-ja dhe shprehu besimin që në fund të janarit do të nis edhe procesi i vaksinimit.

Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi ka njoftuar të martën edhe për 519 raste të reja me koronavirus dhe për një viktimë.

Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, në pranverë të vitit të vitit të kaluar, Mali i Zi ka konfirmuar mbi 53,000 raste me koronavirus. Prej tyre 730 pacientë kanë vdekur./VOA.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re