Fax News mëson se mazhoranca ka përgatitur një draft për të zhbllokuar procesin e emërimit të kryetarit të ri të KLSH ndërsa propozon shtimin e postit të zëvendëskryetarit të këtij institucioni të rëndësishëm.

“Kuvendi me propozim të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit emëron zëvendëskryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Zëvendëskryetari emërohet për një mandat trevjeçar, me të drejtë rizgjedhje më shumë se një herë dhe ushtron funksionet e Kryetarit, në të gjitha rastet kur vendi i Kryetarit mbetet bosh për shkak të mbarimit të mandatit ose shkarkimit”, thuhet në propozimin e Partisë Socialiste.

Kjo e fundit ia delegon komisionit të ekonomisë kompetencen për të emëruar zëvëndëskryetarin.

“Komisioni për Ekonominë dhe Financat, brenda 15 ditëve vijuese i propozon Kuvendit, kandidaturën që do të komandohet në postin e Zëvendëskryetarit të KLSH dhe do të qëndrojë në detyrë deri në përfundimin e emërimit dhe plotësimit të vakancës së Kryetarit të KLSH” Projektligji pritet të dorezohet së shpejti në  Kuvend.

Një ditë më parë, Faxweb.al raportoi mbështetur në burime, se Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër zyrtare presidentit të vendit Ilir Metës ku thekson se po pret propozimin e e tij për kreun e Këshillit të Lartë të Shtetit.

“Z. President, në vazhdën e vakancës së krijuar me kryetarin e KLSH-së prej muajsh, ju lutem të ushtroni kompetencën tuaj dhe ju lutem sillni propozimin e radhes per kandidturën per kreun e KLSH-së.”- bëjnë të ditura burimet.

Zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi ka reaguar pas letrës zyrtare që  Ruçi i nisi Metës në lidhje me emrin e kreut të KLSH-së ku shkruan se kreu i shtetit e ka respektuar me përgjegjshmëri maksimale detyrimin kushtetues duke propozuar tre kandidatura mjaft dinjitoze dhe të kualifikuara për të garantuar pavarësinë e KLSH.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka marrë një letër pak ditë më parë nga Kryetari i Kuvendit, z.Gramoz Ruçi për çështjen e KLSH. Presidenti Meta e ka respektuar me përgjegjshmëri maksimale detyrimin kushtetues duke propozuar tre kandidatura mjaft dinjitoze dhe të kualifikuara për të garantuar pavarësinë e KLSH. Presidenti Meta si gjithmonë do të përmbushë detyrimet e Tij kushtetuese për të garantuar pavarësinë e institucioneve.”- shkruan Blushi.

(F.GJ/FAXWEB.AL)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re