Kryeministri Edi Rama ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre efektivëve nga Kosova që u rrëmbyen dy ditë më parë nga forcat serbe me pretendimin se kishin kaluar pikën kufitare.

Rama u shpreh se edhe në rast se kjo akuzë është e vërtetë ndëshkimi duhet të jetë kthim në shtëpi. Ai foli edhe për draftin e propozuar për Asociacionin në komunat me shumicë serbe duke deklaruar se ai mund të mos jetë përgjithmonë në tryezë pasi rrethanat mund të ndryshojnë.

“Është urgjente nevoja që të tre punonjësit e policisë së Kosovës të kthehen në shtëpi. Përtej pretendimeve që janë kapur këtu apo kanë hyrë atje, apo janë marrë këtu apo janë gjendur atje për të cilat KFOR nuk do të japë konkluzion publik por do të depozitojë dosjen përkatëse në NATO, është absolutisht e qartë që në të gjitha rastet tre efektivët nuk kanë bërë asnjë krim.

Edhe nëse kanë shkelur vijimin e kufirit, kjo ka vetëm një përgjigje: Kthimin e tyre në shtëpi. Jemi fokusuar për ta bërë këtë të mundur. Po përdorim kanalet e mundshme. Sa i përket një zgjidhje të përbashkët ajo është zgjidhja e ofruar me pikat shumë të qarta dhe të palëvizshme. Ajo që është më e rëndësishme për interesin tonë është se paqja është në tryezë. Dokumenti i marrëveshjes është në tryezë dhe mundësia historike është në tryezë për të mbyllur një kapitull shumë të gjatë dhe për të hapur një kapitull të ri për ta bërë Kosovën një vend të njohur ndërkombëtarisht nga Serbia. Është kaq e madhe kjo mundësi sat ë gjitha këto të tjerat janë produkt i një devijimi të panevojshëm nga fokusi. Fokusi është të bëhet paqja përfundimtare në tryezë.

Propozimi është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës. Unë nuk kam eksperiencën e kryeministrit Orban por mund ta them me plot gojën që ajo marrëveshje nuk është e thënë që të jetë aty përgjithmonë. Situatat mund të ndryshojnë dhe mund të kemi në një tjetër kohë në histori kur nuk do të kemi zgjidhje. Të tjerat mund të jenë pilula ekzaltimi për ata që e përfytyrojnë veten si patriot luftëra imagjinare por humbin kohën dhe mundësinë”, tha Rama.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re