Është futur në histori një çmim ushqimi që Shqipëria do merrte në Meksikë në fund të viteve ’80, në zgrip të sistemit komunist, ku shqiptarët ishin katandisur në barktharë.

Po ashtu, në histori ka hyrë dhe Berisha gjatë mandatit të tij të dytë si kryeministër, në vitet 2009 – 2013, ku nga një krizë globale, e rajonale gjithashtu, aspak për faj të tij, e që përfshiu dhe Shqipërinë, deklaronte se vendi, nën drejtimin e tij renditej i dyti në Europë pas Gjermanisë për ritmet e rritjes ekonomike.

E pason tashmë Rama, me po më të njëjtin sindrom vetëbindje se ekonomia nën drejtimin e tij po ecën mbroth, duke servirur shifra dhe vlerësime institucionesh ndërkombëtare, të cilat, jo gjithnjë përputhen me realitetin. Perceptimi dominant, ai që buron nga terreni, është se ekonomia shqiptare është sot në ditët me të vështira që ndërrimi i sistemeve. Ikja masive, padyshim që pasqyron dhe këtë aspekt.

Dhe e gjitha kjo sjellje politike ku virtualja ofrohet për reale, edhe me ndihmën e shifrave si nocion konkret, duket i ka rrënjët në ish-sistemin komunist.

Një shkrim i Zërit të Popullit të tetor të ’90, pra tre muaj pas ambasadave dhe tre para se të shpërthejë rebelimi studentor, i mëshon fakti se një rritje rrogash e urdhëruar nga qeveria e kohës, është njëherësh tregues epërsie sistemi.

Nuk është e vështirë të kuptohet që si rritja e rrogave e si linja ideologjike që e ndjek atë, ndodhnin brenda një konteksti të caktuar politik, diktuar nga hapja e ambasadave.

Pra, mu në kohën e falimentit total të një ekonomike, politika komuniste e kohës – e cila e ka dhe si kredo mosdorrëzimin – i shmangej me çdo çmim e formë realitetit. Deviza: “mjaft të jem unë në pushtet dhe gjërat ecin mirë”, një ves i trashëgueshëm ky!                

Rritja e pagave, tetor ’90:

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re