Rreth 346 raste të kancerit në zonën e traktit gastrointestinal ku përfshihen zorrët, lukthi dhe ezofagu, janë trajtuar vitin e kaluar në Klinikën e Onkologjisë në QKUK.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, muaji mars shënon ditët e sëmundjes së kancerit në zorrën e trashë. Gjatë këtij muaji mbahen kongrese e aktivitete tjera për vetëdijësimin e njerëzve mbi këtë sëmundje vdekjeprurëse.

Në Kosovë shënohet 4 Shkurti si Dita Ndërkombëtare e Kancerit, por për llojet e kësaj sëmundje nuk mbahet ndonjë ditë e veçantë. Në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, vitin e kaluar janë trajtuar 346 raste të kancerit në zonën e traktit gastrointestinal ku përfshihen zorrët, lukthi dhe ezofagu. Kjo klinikë nuk ka statistika të sakta vetëm për zorrën e trashë.

Onkologu Ardian Millaku tregon për gazeta Shneta tha se pacientët me këtë patologji paraqiten çdo të mërkurë në klinikë ku mbahet konzoliumi i përbërë nga onkologu, radioterapeuti, kirurgu abdominal si dhe në disa raste gastroenterologu.

“Rasti paraqitet me biopsi, dhe varësisht prej stadit të sëmundjes bëhet trajtimi, qoftë me përcjellje, kimioterapi e radioterapi apo terapi të cakut”, tregon Dr. Millaku.

Ai thotë se varësisht nga diagnoza, vlerësohet nëse tek pacienti do të bëhet trajtim paraprak, apo do të futet direkt në operacion.

Millaku deklaron se fatkeqësia e pacientëve është se vijnë në stadet e avancuara, çka e bënë shumë më të vështirë trajtimin dhe jetën e tij.

Mjeku tregon se pacientët trajtohen sipas protokolleve ndërkombëtare, për disa prej të cilave nuk ka barna nga Lista Esenciale.

“Për shumicën e protokolleve pothuajse i kemi barnat nga Lista Esenciale. Por nëse ka mutacione të gjeneve të kësaj patologjie, atëherë bëhet trajtimi me terapi të cakut të cilën nuk e disponojmë, por më pastaj Ministria e Shëndetësisë mund t’i rimbursojë pacientët për shpenzimet e tyre”, thotë Millaku.

Ai deklaron se disa prej pacientëve të vitit të kaluar, kanë ndërruar jetë por nuk kanë numra të saktë për shkak se nuk marrin të dhëna për ta.

Dr. Millaku tregon simptomat e kësaj sëmundje: probleme me gëlltitjen, ushqimin, humbje peshë, thartinë e tepërt, fryrje, gjendje jo e mirë, gjakderdhje nga zorra e trashë, dhimbje dhe bark qitje të shpeshtuar, infeksione.

“Është mirë që pacientët që i kanë këto simptoma me bë gastroskopi, kolonoskopi, analiza biokimike, ultrazë apo analiza tjera që me u zbulu sëmundja më herët dhe pacienti me pas një prognozë më të mirë”, ka bërë thirrje onkologu

.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re