Këshilltari për Çështjet Ekonomike në Partinë Demokratike, Dorian Teliti, në një deklaratë për mediat është shprehur se edhe pse nga vendi janë larguar 1/3 e qytetarëve dhe momentalisht në vend janë bosh 356 mijë banesa.

 

Ai shton se edhe pse ka kaq shumë banesa të pabanuara, ndërtimi vijon të ketë rritje.

DEKLARATA E KËSHILLTARIT PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE NË PD, DORIAN TELITI:

Të dashur qytetarë!

Jetojmë në Shqipërinë e mjerimit, ku njerëzit largohen gjithnjë e më të shumtë, ku ndarja e familjeve për së gjalli është kthyer tashmë në normë, duke lënë pas cdo gjë, prindërit, të afërmit, miqtë e shokët, punën, karrierën, jetën e tyre.

Të dhënat e Censusit të publikuar pak ditë më parë nuk janë reale.

Sipas Eurostat, gjatë 11 viteve të fundit, largimi i shqiptarëve ka qenë masiv, mbi 900 mijë shqiptarë janë larguar dhe me konkretisht, 478 mijë shqiptare janë larguar me dokumente të rregullta, 192 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, dhe 311 mijë shqiptarë qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në Europë, pa përfshirë këtu vende si SHBA, Kanada, Britaninë e Madhe, Australi, etj.

Të nderuar qytetarë.

Ndonëse 1/3 e shqiptarëve janë larguar nga vendi këto 11 vite, ekziston një sektor i cili krizë nuk njeh, përkundrazi, vazhdon të shënojë rritje marramendëse, dhe ai është sektori i ndërtimit, i betonit që derdhet lum çdo ditë e më shumë.

Sipas OECD, Eurostat dhe Instat, 356 mijë banesa janë aktualisht bosh, të pabanuara, ku pjesa më e madhe e tyre nuk janë në fshatrat e braktisur apo në zona rurale, por janë në qytete, me plot 180 mijë apartamente të pabanuara.

Çfarë po ndodh?

Ndërkohë që kemi kaq shumë apartamente të pabanuara, pse ndërtimi vazhdon të rritet me ritme dyshifërore?

Si është e mundur që me gjithë këtë ofertë të lartë, çmimet në vend që të uleshin e të ishin më të përballueshme për familjet dhe çiftet e reja, ato rriten me shpejtësi vit pas viti?

Si është e mundur që ndonëse 40% e pallateve të ndërtuara vitet e fundit në Tiranë janë bosh, ndërtimi për kulla dhe pallate shumë katëshe vazhdon me ritme të larta?

Si është e mundur që nuk ka asnjë kontroll qeveritar për burimin e financimit të miliona e miliona m2 ndërtime të këtyre viteve, ndërkohë që nuk ka mbetur institucion ndërkombëtar pa ngritur shqetësimin e përdorimit të parave nga burime të dyshimta apo të pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit?

Ka vetëm një shpjegim, qe i gjithë ky operacion “quasi spastrimi” të shqiptarëve dhe kthimin e vendit në një arenë pastrimi parash në sektorin e ndërtimit, janë politikë e vetë qeverisë, e konceptuar, menaxhuar, sponsorizuar po nga vetë qeveria në fuqi, me qëllimin okult të largimit të shqiptarëve nga vendi dhe mbretërimi përjetësisht në pushtet njësoj si paraardhësit e tyre të regjimit komunist.

Ndaj, te gjithëve ne na lind një detyrë, një përgjegjësi e madhe për ti thënë ndal shpopullimit,

ndal largimit të shqiptarëve nga vendi i tyre!

Ndaj të gjithë të bashkuar, në 11 korrik, të protestojmë për një Shqipëri normale, për një Shqipëri që i shërben njeriut, për një Shqipëri të konkurrencës së lirë e të ndershme, për një Shqipëri ku me zgjedhje të lira e të ndershme të jeni ju dhe vetëm ju qytetare që vendosni mbi të ardhmen e vendit.

Ju faleminderit!

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re