VOLTIZA DURO/ Plot 440 milionë euro janë derdhur në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Shqipëri vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025.

Të ardhurat nga kontributet kanë arritur në 43.9 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, duke shënuar një rritje prej 11.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në krahasim me planifikimin fillestar, janë mbledhur rreth 13 milionë euro më shumë, ndërsa shifra totale përbën një rekord të dekadës së fundit, me një rritje mbi 60% ndaj vitit 2015. Nëse do ta krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit 2024, vihet re një kapërcim i lartë në të ardhura me rreth 4,7 miliardë lekë apo 47 milionë euro.

FAKTORËT

Burimet zyrtare ua atribuojnë këtë performancë disa faktorëve, përfshirë rritjen e pagave në sektorin publik dhe privat, luftën ndaj nëndeklarimit të pagave përmes reformës antiinformalitet dhe shtimin e bizneseve të reja në vend. Por teksa qeveria përgatit një reformë të re të mbrojtjes sociale me ndihmën e Bankës Botërore, mbetet e paqartë nëse ky ritëm është i qëndrueshëm. Rritja e të ardhurave nuk është domosdoshmërish tregues i një përmirësimi strukturor. Paga më të larta përkthehen në më shumë kontribute, por mund të sjellin edhe kosto më të larta për sektorin publik në mungesë të një produktiviteti real.

Ndërkohë, informaliteti në tregun e punës vijon të mbetet një plagë e vjetër e ekonomisë shqiptare. Fushatat kundër nëndeklarimeve kanë prodhuar rezultate të matshme, por nuk ka ende të dhëna të plota mbi efektet afatgjata. Rreziku që një pjesë e bizneseve të vogla të mbyllen për shkak të rritjes së barrës fiskale nuk është i papërfillshëm. Pagesa minimale mujore për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore mbetet në nivelin e 11 mijë lekëve për individ, një shumë që, në kushtet e inflacionit dhe të rritjes së kostos së jetesës, vështirë se mjafton për të garantuar një mbulim të denjë social.

Në këtë sfond, reforma e re që po përgatitet do të duhet të trajtojë çështje të ndjeshme si raporti mes kontributeve dhe përfitimeve, dhe mbështetja për shtresat vulnerabël. Skema e pensioneve ka nevojë për një bazë të gjerë kontribuuesish për të qenë e qëndrueshme, por Shqipëria po përballet me një tkurrje të fuqisë punëtore për shkak të emigracionit dhe plakjes së popullsisë.

Administrata tatimore duket se ka përmirësuar mbledhjen e kontributeve, por mbetet për t’u parë nëse ky trend është i përkohshëm apo shenjë e një ndryshimi të qëndrueshëm. Ndërsa raportimet zyrtare flasin për një vit që ka nisur mbarë për buxhetin e ISSH-së, qytetarët që përballen çdo muaj me pensione modeste dhe mbështetje të kufizuar sociale kanë arsye të kërkojnë më shumë sesa statistika pozitive: transparencë, drejtësi sociale dhe reforma reale.

/Gazeta Panorama

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko