Drejtuesi politik i LSI-së në qarkun e Beratit Ardit Çela ka denoncuar gjendjen e infrastrukturës në Lumas 1 të Beratit. Teksa ka publikuar disa pamje nga një urë që është sajuar nga vetë banorët e zonës, Çela thotë se rrezikohet jo vetëm aktiviteti i përditshëm për mijëra banorë, por jeta e njerëzve.

Ardit Çela thotë se qeveria dhe bashkia i kanë braktisur qytetarët, ndërsa shprehet se në 25 prill do të ketë referendum popullor kundër atyre që e marrin djersën e fukarenjve, për t’ia dhuruar miliarderëve.

“Në Lumas 1. Qindra familje kalojnë në këtë sajesë me hekura e me dërrasa që e quajnë urë, të ndërtuar nga vetë ata.

Gjendja skandaloze. Rrezikohet jo vetëm aktiviteti i përditshëm për mijëra banorë, por jeta e njerëzve.

Ku do kalojnë fëmijët që do shkojnë në shkollë?

Ku do kalojnë gratë e të moshuarit?

Ku do kalojnë të sëmurët, apo familjet që u bje një hall?

Askush nuk ua hap derën.

Të papërgjegjshmit në qeveri e në bashki, nuk e kanë mendjen tek puna e tek hallet e njerëzve, por tek drekat e darkat, tek vera, turshia e rakia!

Braktisje totale.

Në 25 prill, referendum popullor kundër atyre që e marrin djersën e fukarenjve, për t’ia dhuruar miliarderëve”, shkruan Çela në Facebook.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re