Ministria e Brendshme njofton qytetarët se të gjitha zyrat e aplikimit për ID karta dhe pasaporta biometrike do të jenë të hapura edhe sot, datë 27 shkurt 2021.

“MB dhe DPGJC fton qytetarët që u ka përfunduar afati i vlefshmërisë së kartave të identitetit, të kryejnë sa më parë procedurat për rinovimin e saj. Përmes ID kartës përfitohen shërbime online dhe fizike, por edhe mundësinë për të votuar në zgjedhjet e 25 Prillit.

Rikujtojmë se riaplikimi për ID kartë mund të bëhet në çdo zyrë, pavarësisht vendbanimit. E gjithë procedura merr pak minuta. Mjafton kuponi i blerë në Postë dhe të paraqitja në zyrën e aplikimit me ID kartën e skaduar”, thuhet në njoftim.

Kjo thirrje e Ministrisë së Brendshme vjen pas alarmit të dhënë nga drejtori i Gjendjes Civile se mijëra njerëz rrezikojnë të mos votojnë në zgjedhjet e Prillit, për shkak se nuk kanë një mjet identifikimi të vlefshëm.

Por pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme që janë bërë, qytetarët sërish rinovojnë për të aplikuar për ID-në e re, duke bërë kështu që për votimin e tyre të mendohet një zgjidhje e minutave të fundit nga forcat politike.

Opozita kërkoi që të kishte një shtyrje të vlefshmërisë së kartave identitetit për zgjedhjet, por ende nuk ka një reagim zyrtar nga Ministria e Brendshme lidhur me këtë.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re