Banorët e Laprakës kanë dalë në një protestë mbrëmjen e sotme për të kërkuar dëmshpërblim me çmim tregu për shtëpitë e tyre që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe.

“Fax News” sjell pamjet video teksa shihet që banorët në shenjë proteste bllokojnë rrugën për rreth 1 orë nga të dyja krahët e saj. Banorët janë të vendosur t’i shkojnë qëndrimit tyre deri në fund që shtëpitë e tyre të mos shemben pasi një pjesë e mirë e tyre i kanë të legalizuara e të tjerë kanë aplikuar për leje para shumë vitesh pa marrë asnjë përgjigje zyrtare.

“Drejtuesve të mjeteve ju kërkojmë shumë falje sepse ata kanë hallet e tyre por edhe ne s’kemi çfarë të bëjmë kur të na vijë fadroma që të na prishë shtëpitë”, tha një protestues.

“Jemi shumë të shqetësuar. Nuk ka asnjë reagim nga institucionet, kemi bërë shkresë por na kanë lënë në pikë të hallit”, u shpreh një banore e zonës.

Gjithashtu qytetarët të cilët janë bllokuar prej më shumë se një ore në trafik shfaqen të indinjuar për këtë veprim të pazakontë të banorëve të zonës.

“Na shqetëson si nuk na shqetëson kjo protestë. Kemi 1 orë duke ndenjur në trafik këtu me kalamajtë, kjo nuk është normale. Ata kanë të drejtën të protestojnë por jo në këtë mënyrë sepse populli duhet të qarkullojë”, u shpreh një shofer që ka ngelur i bllokuar në trafik.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re