Kryeministri Edi Rama thotë se gjithçka rrezikon të degradojë në një drejtësi aktiviste.

Referuar arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Rama tha se ai do ta ndjekë me kujdes këtë proces teksa hodhi dyshime mbi prokurorinë dhe mënyrën se si ka vepruar me rastin e Erion Veliajt.

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Tiranes me rastin e 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë, kryeministri Edi Rama tha se “nëse Erion Veliaj dhe e shoqja kanë blerë 800 mijë e kusur euro fustanë e bizhuteri , s’kemi çfarë diskutojmë, por kërkojmë prova”.

Rama: Dhe nuk kam asnjë pendese për këtë dhe besoj se s’ka asnjë pendesë për këtë. Por ama, sot jemi në kushtet kur gjithçka rrezikon të degradojë në një drejtësi aktiviste.

Dhe në këtë hapësirë janë ata që bërtasin “gijotinë për të gjithë” “Hosana” se nuk ka rëndësi a ka prova a s’ka prova, a është e vërtetë a s’është e vërtetë. Rëndësi ka që çdokush që merret me politikë, çdokush që ekspozon fytyrën e vet, çdokush që i vihet në dispozicion kësaj pune është një kriminel, një hajdut që duhet varur në litar dhe nga ana tjetër janë armiqtë e reformës në drejtësi që çdo ditë, çdo natë sulmojnë prokurorët e SPAK dhe gjykatësit e Gjykatës Speciale.

Këto janë dy ekstreme. Ne nuk mund të jemi as tek njeri as tek tjetri ekstrem dhe ne nuk mund ta lëmë më këtë boshllëk, por duhet të kërkojmë përgjegjshmëri. Jo duke thënë ne se kush është fajtori dhe kush është i pafajshëm, por duke kërkuar përgjegjshmëri.

Nëse Erion Veliaj dhe e shoqja kanë blerë 800 e kusur mijë euro fustan dhe bizhuteri, ne nuk kemi çfarë diskutojmë fare, por ama ne kemi te drejtën të kërkojmë prova, prova dhe ne kemi të drejtën të themi që në ndërkohë hedhja e kësaj shifre në mexhelis është absolutisht e qëllimshme për të ekzaltuar masën që kërkon gjah dhe nga ana tjetër për të krijuar një situatë ku të jetë e pamundur që të diskutosh, gjithsesi për të gjitha këto ne do ta ndjekim me shumë kujdes këtë proces.

Ua thashë unë jam bërë ndjekës i vëmendshëm i këtij procesi për arsye se jam gjendur krejt pa dashje në kushte që duhet të dëgjoja disa njerëz të artit. Nuk janë fare ata që shikoni nëpër ato listat, kështu që mund ta them se ata janë njerëz të lirë, njerëz të artit që kanë parë picir në hetimet apo intervista apo ca quhen ato me atë prokuror që realisht unë do të doja që të binde këdo me prova, mbase i ka. Po ama i ka apo si ka metoda është e papranueshme. Kryetari i Komisionit të Ligjeve ka kërkuar ose ka kërkuar të dëgjohet nga Grupi Parlamentar. Pse? Për arsyen e thjeshtë se e ka dëgjuar nga televizori, jo nga prokurorët, nga televizori, nga gazetarë special që disponojnë dokumenta që nuk i kanë as të akuzuarit, i disponojnë më shpejt, që është person i dyshuar, kryetari i Komisionit të Ligjeve, jo se kryetari i Komisionit të Ligjeve mund të mos jetë person i dyshuar, por që të jetë një person i dyshuar që e merr vesh nga televizori, që emri i figuron në aktakuzë dhe të mos jetë pyetur asnjëherë. Ej, ça është kjo? Asnjëherë mos të jetë pyetur, mos i jetë dhënë e drejta e fjalës që thotë çfarë mendon apo jo?

Po, këto nuk janë shenja aspak të mira dhe unë dua të shpresoj që këto janë shenja që nuk lidhen me simptomat e një sëmundjeje vetëkënaqësie dhe vetëbesimi dhe dua të besoj që ajo që kam thënë dhe unë qëndroj asaj në aspektin e rrezikut, që kjo nuk është republikë prokurorësh, të mos jetë diçka që tanimë është në materializimin e vet përfundimtar. Sepse do të ishte pastaj autogoli më i madh që në vullnet të mirë, edhe sy mbyllur për të kërkuar më të mirën për ta transformuar këtë vend, duke transformuar drejtësinë, ne do të bënim.

Arrestimi i Veliajt

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u arrestua rreth orës 14:00 të së hënës (10 shkurt), pasi Gjykata e Posaçme firmosi masën e arrestit me burg të kërkuar më parë nga SPAK për vepra penale të korrupsionit, i kryer nëntë herë në bashkëpunim.

Veliaj u filmua teksa dilte nga dera e Bashkisë me një dosje gri në dorë, i shoqëruar në distancë nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Gjykata e Posaçme vendosi gjithashtu masën e “arrestit shtëpiak” për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa dhe masën e “detyrimit të paraqitjes” për pesë biznesmenë, Gentian Sulën, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, Veliaj akuzohet se së bashku me Xoxën kanë krijuar dhe vënë në funksionim një skemë me qëllim përfitimin e paligjshëm të fondeve publike që rridhnin nga Bashkia e Tiranës, që sipas SPAK është vërtetuar në nëntë raste.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko