Nga Michel de Muelenaere, Internazionale

Në javën e tretë të luftës në Lindjen e Mesme, askush nuk mund të thotë se kurdhe si do të përfundojë. Në planin ushtarak, ajo mund të zgjerohet edhe më tej. Ndërsa nga pikëpamja ekonomike, sulmet kundër Iranit do të kenë efekte të rënda dhe afatgjata.

Tani vëmendja është përqendruar te çmimi i naftës dhe i gazit natyror. Por konflikti ka prodhuar edhe pasoja të tjera për të cilat flitet më pak. 30 për qind e furnizimit global me helium vjen nga Katari dhe varet nga prodhimi i gazit natyror të lëngshëm (GNL), pjesë e të cilit heliumi është si nënprodukt.

Mbyllja e fabrikave katariane ka bllokuar eksportin e tij. Heliumi është thelbësor për industrinë e gjysmëpërçuesve, por edhe për diagnostikimin përmes imazherisë (mjekësore). E njëjta gjë vlen edhe për plehrat azotike dhe lëndët e para për prodhimin e plehrave fosfatike, të cilat varen të gjitha nga gazi “natyror” fosil.

Ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit dhe shpërthimi i çmimeve të lidhura me atë të gazit kërcënojnë drejtpërdrejt sigurinë ushqimore botërore. Ekspertët dhe agjencitë e OKB-së japin alarmin: edhe pse do të duhen muaj që ato të shfaqen, efektet do të jenë shumë të rënda për vendet më vulnerabël në Azi dhe Afrikë.

Pasojat mund të jenë të mëdha dhe të shtyjnë shumë njerëz drejt emigrimit. Sa më shumë të përshkallëzohet lufta, aq më shumë kohë do të duhet për të rikthyer prodhimin e plehrave dhe zinxhirët e shpërndarjes. Kjo duhet të na nxisë të përshpejtojmë kërkimin për alternativa ndaj produkteve që në një botë të paqëndrueshme rezultojnë të brishta, përveçse kanë një ndikim dëmtues mbi mjedisin.

Evropa e njeh tashmë rrugën: dekarbonizimi i ekonomisë dhe tranzicioni drejt sistemeve që garantojnë sigurinë ushqimore, mbrojnë fermerët dhe janë në përputhje me objektivat tona klimatike dhe mjedisore. /tesheshi.com/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re