Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) në Kosovë u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë masat dhe këshillat e këtij Instituti, në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e koronavirusit të ri.

IKSHPK thotë se ditët e fundit janë regjistruar shumë raste të vdekjeve nga sëmundja COVID-19, ndaj bën thirrje për kujdes, sidomos për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

“Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve. Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim”, thuhet në deklaratën e Institutit.

Të dielën, IKSHPK-ja njoftoi se ka regjistruar nëntë të vdekur dhe 152 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Me këto shifra, numri i të vdekurve në Kosovë nga koronavirusi arrin në 75.

Qeveria e Kosovës të dielën miratoi një sërë masash me qëllim të parandalimit të koronavirusit. Ndër to është edhe rikthimi i masës së kufizimit të lëvizjes në disa qytete ku ka më së shumti raste të infektimeve./ REL

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re