Duke nisur nga mesdita e kësaj të hëne dhe deri në orët e mesnatës, disa qarqe të vendit rrezikojnë përmbytje për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

 

Shirat sipas Institutit të Gjeoshkencave do të nisin me intensitet të lartë në Shkodër, e cila është edhe më e rrezikuara nga vërshimet e shpejta të lumenjve të vegjël malorë, për t’u spostuar më pas drejt jugut.

 

ALBAN DOKO

HIDROLOG, IGJEO

 

“Mund të ketë përmbytje urbane duke filluar nga Qarku i Shkodrës, pasi edhe masat atmosferike me intensitet të lartë do të fillojnë nga veriu në drejtim të jugut. Do të fillojnë nga Qarku i Shkodrës, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, me intensitet më të shtuar, ndërsa pjesa e Fierit, Elbasanit dhe Beratit kanë një intensitet më të ulët. Në të gjitha zonat urbane mund të priten edhe përmbytje, të lokalizuara.”

 

Në lumenjtë Drin, Buna, Shkumbin dhe në Liqenin e Shkodrës pritet rritje e prurjeve, por jo dalje e tyre nga shtrati. Banorët këshillohen që në kulmin e reshjeve të shmangin lëvizjet, ndërkohë që grupet e emergjencave civile do të jenë në terren.

 

ALBAN DOKO

HIDROLOG, IGJEO

 

“Banorët që e dinë shumë mirë rrezikun e përmbytjeve, të kufozopjnë lëvizjet e shpeshta, plus objektet në katet e para, në zonat që dihet që kanë përmbytje, të spostohen. Por jo se pritet ndonjë rrezik të madh sepse në zonat urbane dihet që përmbyten vetëm rrugët.”

 

Mesditën e të martës pritet një përmirësim i kushteve të motit. Reshjet, sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, do të na shoqërojnë përgjatë gjithë javës, por në sasi më të pakta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re