Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka dalë sot në terren, duke u ndalur në bazën e Pashalimanit, nga ku foli lidhur me situatën e zjarreve në vend.
Peleshi tha se presim që zjarret të vihen nën kontroll brenda ditës, por theksoi se ky nuk mund të jetë një premtim, pasi rreziku është ende prezent.
“Forcat tona të Armatosura janë në të gjithë territorin, nga dita e parë që ka filluar kjo stinë e nxehtë, që është pasuar me zjarre të shumtë. Natyrisht komandanti i bazës ka bërë një punë shumë të mirë. Duke qenë se rrezikun akoma e kemi prezent, do të vazhdojmë punën me shumë intensitet dhe shpresojmë të vëmë në kontroll dhe ta fikim brenda disa orëve, brenda ditës së sotme. Por ky nuk mund të jetë një premtim sepse siç e thatë ju kushtet atmosferike janë të paparashikueshme, sidomos në një zonë si Gadishulli i Karaburunit”, tha Peleshi.