Një dron amerikan pa pilot u godit nga një avion luftarak rus, mbi Detin e Zi. Ngjarja ndodhi të martën, teksa droni amerikan ishte në një mision rutinë, në hapësirën ajrore ndërkombëtare.

 

Pas incidentit, një ushtarak i Shteteve të Bashkuara tha se pas goditjes në helikë, droni amerikan u rrëzua mbi sipërfaqen e ujit, teksa akuzoi Moskën, duke u shprehur se veprimi ishte i pamatur.

 

 

“Droni ynë MQ-9 po kryente operacione rutinë në hapësirën ajrore ndërkombëtare kur u godit nga një avion rus, duke rezultuar në përplasje dhe humbje të plotë të dronit. Kjo manovër ishte e pamatur, e pasigurt dhe joprofesionale.”

 

Nga ana tjetër, ambasadori rus në SHBA, i cili u thirr nga Departamenti Amerikan i Shtetit, mohoi të ketë patur kontakt mes avionit rus dhe atij amerikan, ndërsa u shpreh se akuzat e Uashingtonit për incidentin, janë një provokim.

 

 

“Aktiviteti i papranueshëm i ushtrisë amerikane në afërsi të kufijve tanë është një shkak për shqetësim. Ne nuk duam asnjë konfrontim midis SHBA-së dhe Federatës Ruse. Ne jemi në favor të marrëdhënieve pragmatike për interesin e popullit amerikan dhe rus”

 

Ky incident është rasti i parë që shënon një përplasje të drejtpërdrejtë mes SHBA dhe Rusisë, që nga nisja e luftës në Ukrainë, më shumë se një vit më parë, dhe ka të ngjarë të rrisë tensionet midis dy kombeve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re