Ish-shokët e idealit deputetët e Vetëvendosjes dhe të Partisë Socialdemokrate sërish kanë kthyer Kuvendin e Kosovës në një arenë përplasje për të shprehur mllefet mes vete. Kësaj here “fajtori” është kryeministri Ramush Haradinaj, konkretisht kërkesa për rrëzimin e tij nga pushteti.

Në mungesë të numrave për ta rrëzuar Ramushin, vetëvendosësit dhe socialdemokratët në seancën e së martës u akuzuan mes vete se për këtë çështje po bëhen vetëm deklarime për të përfituar politikisht dhe për këtë po e përdorin edhe Listën Serbe.

Dardan Molliqaj deputet i Partisë Socialdemokrate, e kritikoi ish-partinë se po bën lojë për çka i bëri thirrje vetëvendosësve të nisin të mbledhin nënshkrimet e deputetëve të komunitetit serbë për rrëzimin e qeverisë dhe atëherë votat do t’ia jap edhe PSD-ja.

“Me aq sa di partitë opozitare bashkë me deputetët e pavarur i kanë 58 deputetë, 52 i ka koalicioni. Dhe 9 deputetë janë të Listës Serbe, por ata vazhdojnë të jenë në qeveri. Të gjithë na që jemi në opozitë, e ata në pushtet janë ndier keq kur qeveria është krijuar me ndihmën e Listës Serbe. A e ka ndërruar Vetëvendosja qëndrimin për këtë punë, apo janë gati me çetnikë me rrëzuar qeverinë e Kosovës. Në emër të PSD i përgjigjem VV që nëse këta janë gati dhe i marrin nënshkrimet e serbëve, qysh sot ua japim nënshkrimet përm rrëzimin e qeverisë”, tha Molliqaj.

Menjëherë u kundërpërgjigj deputeti i VV-së, Glauk Konjufca i cili e akuzoi Molliqajn po mundohet ta shkatërrojë Vetëvendosjen dhe se rrëzimi i qeverisë është më pak i rrezikshëm sesa të lihet që të bëhet statuti i ‘Zajednicës’.

“Kam kënaqësinë me të dhanë përgjigje. Vetëvendosjen mos e merr me kompozitet, ti bon filma e aktrime për zgjedhje. Jemi të gatshëm me rrëzuar qeverinë kur të duan të tjerët. Çka o Lista Serbe, këtë koncept e ke mësuar në Vetëvendosje. 30 minuta pasi ke thanë që VV o me PDK-në, janë bërë bashkë me të tjerët kundër Vetëvendosjes. Këta ta mundësuan ty me mbajt pozitën që i takon Vetëvendosjes”, u kundërpërgjigj Konjufca.

Në këtë debat u përfshi edhe deputeti tjetër i PSD-së, Frashër Krasniqi që ju kundërpërgjigj Konjufcën duke i thënë se nëse duan rrëzimin e qeverisë pse nuk po i marrin votat e “Srpska”-s.

“Glauku sapo e tha që jemi të gatshëm që  kur urdhrin e jep Vuçiçi përmes Listës Serbe ne ta rrëzojmë Qeverinë, pasi që jeni të gatshëm pse spo i merrni nënshkrimet”, u shpreh Krasniqi

Ai tha se partia e tij është e gatshme që t’i japë nënshkrimet për rrëzimin e qeverisë në momentin kur VV merr nënshkrimet e deputetëve të komunitetit serb.

“PSD-ja është e gatshme për me i dhanë nënshkrimet për të shkuar vendi në zgjedhje mirëpo pa lojëra politike, dhe jo deri atëherë kur jeni të gatshëm për të shkuar te Lista Serbe dhe për ti kërkuar votën”, tha Krasniqi.

Për këtë çështje shkurt foli edhe vëllau i kryeminsitrit, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj i cili i tha opozitarëve “rrëzoni qeverinë në momentin që i bëni numrat”, duke aluduar se aktualisht nuk i kanë dhe po flasin kot për këtë temë.

Kujtojmë se edhe deputeti i LDK-së, Kujtim Shala në një debat televiziv të hënën mbrëma ka pranuar se opozita nuk i ka votat për të rrëzuar qeverinë.

Nga Blendi Gashi – 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re