Propozimet e deputetit socialist Eduard Shalsi për të zgjatur afatin për ligjin për investimet strategjike deri në vitin 2027 dhe për të rritur vlerën e investimeve u rrëzuan gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare. Mes rezervave të Erion Braçes, deputetët socialistë ranë dakord që ky ligj të qëndrojë në fuqi  i pandryshuar deri në fund të këtij viti dhe paralelisht të punohet për një ligj të ri.

“Një grup deputetësh sugjeruan dhe miratuan që të mbetemi te propozimi im, por me një ndryshim që të mbahet ndryshimi i afatit në fund të 2024 dhe jo në fund të 2027 me sugjerimin që të përgatitet ligji integral për të cilin puna ka filluar dhe është asistuar edhe nga disa partnerë të huaj”, tha Shalsi.

“Ça ka ngelur më pa u dhënë? Se ishin dhënë të gjitha. Edhe unë jam për shtyrjen e afatit deri në 2024 dhe të gjitha të tjerast të kalojnë me procedurat ligjore, që janë në fuqi dhe mendoj se nuk ka më nevojë për ligje që favorizojnë përtej procedurave të zakonshme në këto sektorët e turizmit dhe kështu me radhë’, tha Braçe.

Por, opozita e kundërshtoi shtyrjen e afatit duke rikthyer kritikat që kanë shoqëruar zbatimin e këtij ligji ndër vite.

“Ligji është jashtëzakonisht abuziv dhe klientelist. Konsuiderohet si ligj kapje shteti. Kam një shqetësim real për pronën, nmjë shqetësim që nuk e kishit akomoduar në propozim. Shtyrja për të pestën herë është e gabuar, nuk është arsye e mjaftueshme që ka ende 14-15 projekte, ndërkohë që janë dhënë 44 dhe nuk dimë akoma se çfarë zhvillimi dhe punësimi kanë sjellë. Unë jam kundër shtyrjes së këtij afati, kundër këtyre ligjeve, që bëhen me porosi për investimet që kanë ngelur ende pa u bërë”, tha Tabaku.

Propozimet e Shalsit u rrëzuan edhe nga Këshilli i Ministrave, që me anë të komenteve të bëra, dha dakordësi vetëm për shtyrjen e afatit, ndërsa rritja e vlerës së investimeve u pa me rezerva nga Ministria e Turizmit./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re