Betejën e parë mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, për të drejtën për të marrë pjesë në vendoret e majit, me simbolet e Partisë Demokratike, e fitoi Lulzim Basha. Vendimin e tij në parim, Ilirjan Celibashi, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve e bazoi në këtë dokument të gjykatës, që vërteton se kryetari i Partisë Demokratike është Lulzim Basha.

 

ILIRJAN CELIBASHI

KOMISIONERI SHTETEROR I ZGJEDHJEVE

 

Unë mund ta pranoj që në perceptimin tim Z. Sali Berisha është kryetar i Partisë Demokratike, por kjo nuk ndryshon absolutisht asgjë në përputhje me ligjin. Të drejtën për të kërkuar rregjistrimin e Partisë Demokratike si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e 14 majit 2023 e ka Z. Lulzim Basha.

 

Pasi e njohu si kryetar të PD-së, Lulzim Bashës i la 48 orë kohë për të firmosur deklaratën ku angazhohet, se do të përmbushë çdo parashikim ligjor të kodit elektoral. Ky dokument është firmosur nga Enkelejd Alibeaj, si personi i autorizuar për të kryer detyrat e kryetarit. Sipas Ilirjan Celibashit, ajo është në shkelje të nenit 64 të kodit zgjedhor, që përcakton se kjo deklaratë solemne, duhet të mbajë firmën e kryetarit të partisë, pra atë të Lulzim Bashës.

 

ILIRJAN CELIBASHI

KOMISIONERI SHTETEROR I ZGJEDHJEVE

 

Deklarata e kryetarit të partisë nuk është kopetencë, është përgjegjësi dhe si përgjegjësi nuk mund të delegohet. Për analogji, detyrimin e dikujt për të kryer shërbimin ushtarak, nuk mund të delegohet. Kjo është një përgjegjësi tërësisht personale.

 

Përplasja mes dy grupeve në Partinë Demokratike dhe pretendimet e secilës palë, se kujt i përket Partia, e ktheu për disa minuta sallën e KQZ-së në një sallë gjyqi.

 

LEDIO NURAJ

PERFAQESUESI I PD NE KQZ

 

Nuk është më kryetar Z. Lulzim Basha. Kur ështe zgjedhur ka qenë brenda nje procesi gjyqësor, në ankimim nga garuesja, është shkarkuar dhe ka bërë një akt dorëheqje publike. Të na sqarojnë, është apo nuk është.

 

INDRIT SEFA

PERFAQESUESI I PD NE KQZ

 

Nuk ka shënim nga rrethi gjyqësor Tiranë. As pullë dhe as vulë. Këto vendime jo vetëm nuk janë të ekzekutueshme, jo vetëm nuk noterizohen, që për fat të keq janë notërizuar, por nuk mund të sjellin asnjë efekt.

 

Vetëm pasi të bëhet plotësimi i dokumenteve, Ilirjan Celibashi do të bëjë edhe regjistrimin e Partisë Demokratike, me kryetar Lulzim Bashën. Nga grupimi i Sali Berishës është deklaruar se ai do të ankimohet në KAS.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re