Dekreti i Metës për “Metrologjinë” është rrëzuar me 9 vota pro, 3 vota kundër dhe një abstenim nga Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese. Në komisionin që drejtohet nga Niko Peleshi, vihet re se dy deputetë nuk ndodhen në ambiente të brendshme teksa zhvillohet votimi.

Bëhet fjalë për Zef Shtjefnin që duket se ka dalë të shijojë diellin e paradites dhe Arlind Cacanin që po ndjek komisionin nga makina.

Meta e ktheu ligjin për Metrologjinë, të propozuar nga mazhoranca dhe miratuar në Kuvend pasi konstatoi se ky akt synon  të ligjërojë një skemë për qëllime klienteliste, në dhënien me koncesion të shërbimit shtetëror tek subjekte privat, në mënyrë të pakontrolluar, dhe pa negociuar asnjë kusht për mbrojtjen e interesit shtetëror.

Po ashtu Meta edhe më parë ka denoncuar se ky ligj ka shkelje të mëdha antikushtetutshmërie dhe i kërkon SPAK të hetojë për autorët e kësaj nisme dhe se si është inicuar pikërisht nga qeveria.

Sipas Metës nga shqyrtimi i përmbajtjes ky ligj është një ligj me përmbajtje të lartë antikushtetutshmërie, me parashikime në shkelje flagrante të parimeve themelore kushtetuese të funksionimit të tregut të lirë dhe konkurrues.

Në letrën e tij Meta arsyeton se ky ligj nisur nga përmbajtja evazive e dispozitave që lidhen me dhënien e autorizimeve dhe mungesës së qëllimshme të mekanizmave kontrollues, krijon bindjen tek publiku, e jo vetëm te Presidenti i Republikës, se de facto i hapet rruga dhënies së të drejtave koncesionare të tjera, në mënyrë të fshehtë, në shkelje flagrante të procedurës konkurruese sipas legjislacionit në fuqi.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re