Një avion britanik F-35 u rrëzua në Detin Mesdhe rreth orës 10:00 (GMT), ndërsa piloti ka arritur të katapultohet i sigurt, njoftuan autoritetet britanike.

“Një pilot britanik i avionit F-35 nga HMS Queen Elizabeth u katapultua gjatë operacioneve rutinë të fluturimit në Mesdhe këtë mëngjes”, tha Ministria e Mbrojtjes e Britanisë në një deklaratë.

“Piloti është kthyer në mënyrë të sigurt në anije dhe një hetim ka filluar, kështu që do të ishte e papërshtatshme të komentohej më tej në këtë moment”, thuhet në deklaratë.

HMS Queen Elizabeth është aeroplanmbajtësja kryesore e Mbretërisë së Bashkuar dhe aktualisht është në rrugën e kthimit në Britani nga udhëtimi i saj i parë në Lindjen e Largët.

Ajo mbart tetë avionë britanikë F-35, si dhe dhjetë F-35 amerikanë. Një F-35 vlerësohet të kushtojë rreth 100 milionë funte.

Një hetim ushtarak do të nisë për incidentin që ndodhi në ujërat ndërkombëtare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re