Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili reagoi për situatën e krijuar me emigrantët që detyrohen të presin me orë të tëra në kufi prej koronavirusit. Në “Facebook”, ai bëri me faj për këtë ministrin e Diasporës, Pandeli Majko. Sipas Vasilit, Majko duhet të interesohet për gjendjen e tyre sepse deri dje kërkonte votat prej tyre.

 

“Rama dhe Majko flenë në shtëpi, ndërsa emigrantët jashtë! Është kriminale sjellja e Ramës me shqiptarët e bllokuar në kufi të cilët qeveria nuk i le të hyjnë në atdheun e tyre. Po shkelet Kushtetuta, ligji, por edhe çdo normë njerëzore. Po ne kemi edhe Ministri për Diasporën. Po ne kemi edhe ministrin Majko, që rri e vështron me përmallimin e tij interesant, karakteristik e babaxhan, ndërsa emigrantët flenë jashtë te dera e kufirit, që ua ka mbyllur qeveria e tij. Po ky Majko kërkoi edhe zyra për emigrantet nëpër rrethe. Si duket edhe kjo paska qenë ndonjë nga shakatë e tija, sigurisht pa humor. Po ky Majko u ça dysh edhe për votën e emigrantëve. Ndërsa sot Majko hesht. Rri Pandi rri, mos e shqetëso Ramën.”

 

Dhjetëra emigrantë nga Greqia lejohen nga autoritetet greke që të kalojnë në kufi, por pengohen nga autortitetet shqiptare. Për këtë arsye ata qëndrojnë për disa orë në pritje në tokën neutrale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re