Skip to content

Rriten interesat për kreditë/ Bankat shtrëngojnë kushtet për bizneset e vogla e të mesme

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Tremujori i parë i vitit u karakterizua nga norma më të larta interesi për kreditë e reja, në krahasim me të njëjtë periudhë të 2022.

 

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, normat e interesit për kreditë konsumatore në lekë u rritën nga 7.9% në 9.1%. Një rritje është regjistruar edhe në segmentin e kredive të mëdha mbi 140 mln lekë. E njëjta gjë vlen edhe për interesat e kredisë së re në euro për bizneset, që u rritën nga 4.5% në 4.9%.

 

Kjo sipas ekspertëve, ishte diçka e pritshme.

 

ADRIAN CIVICIEKSPERT PER EKONOMINE

“Ishte e pritshme të ndodhte diçka e tillë, aq më tepër në situata të turbullta ekonomike. Veçanërisht pas tërmetit dhe pandemisë, bankat bëhen gjithmonë më prudente dhe të kujdesshme në analizën e atyre që kërkojnë kredi dhe sektorët ku duhet të financojnë. Në tregjet më të qëndrueshme, ku edhe garantimi i fitimit ose i aktivitetit është më normal, bankat japin kredi më të mëdha dhe me përqindje më të arsyeshme interesi. Në tregjet delikate, ku priten probleme, apo janë plane biznesi të pastudiuara mirë, atëherë bankat marrin masa shtrënguese për të qenë më të sigurta për dhënien e kredive.”

 

 

Për shkak të pasigurive të shtuara, bankat u bënë më konservatore dhe shtrënguan kushtet në pranimin e kërkesave për kredi, kryesisht të bizneseve të vogla e të mesme. Raporti i kredive të refuzuara ndaj totalit të aplikimeve nga bizneset u raportua në rritje gjatë tre muajve të parë.

 

ADRIAN CIVICIEKSPERT PER EKONOMINE

“Po të shikojmë dinamikën e situatës ekonomike, jemi në një presion shumë të madh të rritjes së çmimeve, kjo rritje çmimesh për disa elementë kufizon edhe kërkesën për kredi, sidomos për investime sepse kjo kosto bëhet gjithmonë e më e lartë. Kjo do të reflektohet edhe nga ana e bankave, si perceptim të një rreziku më të madh dhe do të shoqërohet edhe me një sjellje më prudente. Besoj se edhe në muajt në vijim, kjo tendencë do të jetë njësoj si në tremujorin e parë.”

 

Ndryshe nga bizneset, bankat aplikuan politika lehtësuese kreditimi për individët dhe shkalla e refuzimeve për ta ra në tremujorin e parë. Qytetarët kërkuan kredi kryesisht për blerje banese, ndërsa bizneset për kapital qarkullues.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë