Një mosmarrëveshje e re mes Kroacisë dhe Serbisë ka shpërthyer pas vdekjes së papritur të të dyshuarit kroat për krime lufte, Slobodan Praljak, i cili ditën e djeshme piu helm në Gjykatën e OKB-së në Hagë, shkruan (aa).
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) dje dënoi një grup prej gjashtë kroatëve të Bosnjës e Hercegovinës (BeH) nga Lufta e Bosnjës në periudhën 1992 – 1995, gjithsej me 111 vjet burg.
Njëri nga grupi i të dënuarve, ish-gjenerali Slobodan Praljak, u ngrit në këmbë, refuzoi dënimin dhe piu helm nga një shishe e vogël. Më vonë, në Gjykatën e Hagës u konfirmua se Praljak kishte vdekur në spital.
Këshilli i Apelit gjithashtu konfirmoi edhe një herë se presidenti i atërhershëm kroat, Franjo Tudjman, gjatë Luftës së Bosnjës bashkoi forcat me forcat kroate në vend me një “iniciativë të përbashkët kriminale”.
Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç, sot tha se vendi i saj nuk ka sulmuar askënd, duke fajësuar forcat serbe në vend.
“Praljak zgjodhi të vdiste dhe jo të jetonte si i burgosur i dënuar për krime që nuk i ka kryer. Kroacia nuk sulmoi askënd. Përkundrazi, mbështeti unitetin e Bosnjës. Sulmuesit ishin ushtritë serbe dhe jugosllave të udhëhequra nga Millosheviçi”, tha Kitaroviç.
Ajo shtoi se është “e padrejtë” që boshnjakët dhe serbët nuk u dënuan për sulme ndaj kroatëve të Bosnjës.
Megjithatë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se ishte e lehtë për të gjithë të fajësojnë serbët kur flasin për luftën, duke shtuar se askush nuk ishte dënuar për krime kundër serbëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re