Skip to content

Rriten tensionet mes Rusisë dhe Lituanisë/ Lavrov përplaset me Boris Johnson

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Në një kohë që konflikti Rusi-Ukrainë ka hyrë në ditën e 120, bisedimet e paqes duken shumë larg. Ministri i Jashtëm rus, Sergi Lavrov, tha në një intervistë për mediat bjelloruse se Perëndimi nuk po e lejon Ukrainën të ulet për dialog.

 

SERGEI LAVROV

MINISTRI I JASHTEM RUS

 

Nuk ka gjasa që fuqitë perëndimore ta lejojnë Ukrainën të kthehet në tryezën e bisedimeve dhe të vazhdojë negociatat. Unë nuk shoh asnjë mundësi që Ukraina të parashtrojë ndonjë propozim, por as ne nuk do të propozojmë. Ne i kemi bërë propozimet tona shumë kohë më parë. Tani, topi është në anën e tyre.

 

Reagimi i Lavrov vjen pasi kryeministri britanik Boris Johnson kishte pohuar më herët se Ukraina nuk duhet të kënaqet me një paqe të rreme.

 

Ndërkohë forcat ukrainase janë urdhëruar të tërhiqen nga qyteti strategjik Severodonetsk në rajonin e Luganskut. Lajmin e ka bërë të ditur guvernatori i këtij rajoni.

 

Por ndërsa rusët përparojnë drejt perëndimit të Ukrainës, një vatër tjetër konflikti mund të ndizet më në zemër të Europës. Konflikti këtë radhë vjen nga bllokada që Lituania i ka bërë transportit të produkteve drejt Kaliningradit, një enklavë ruse në detin Balltik, gjë që ka sjellë reagimin e Rusisë.

 

DMITRY PESKOV

ZEDHENESI I KREMLINIT

 

Moska është plot vendosmëri për bllokadën e transportit ndaj Kaliningradit, por nuk do të nxitojë për të marrë vendime. Do të duhet pak kohë para se të merren vendime të caktuara.

 

I pyetur nëse duhet të pritet ndonjë masë hakmarrëse, zëdhënësi i Kremlinit tha se nuk e përjashton mundësinë që Lituania të përgatitet për më keq.

 

DMITRY PESKOV

ZEDHENESI I KREMLINIT

 

Le të mos përjashtojmë asgjë. Le të shpresojmë për më mirë dhe të përgatitemi për më keq. Dhe kjo është pikërisht ajo që po bëjmë tani.

 

Lituania vendosi kufizime në transitin hekurudhor të disa mallrave nga Rusia në rajon nga 18 qershori për shkak të sanksioneve të BE-së.

 

Kaliningradi më vonë konfirmoi se kufizimet zbatoheshin edhe për kamionët. Rusia thotë se masa është e paligjshme, pasi shkel marrëveshjet e nënshkruara më parë.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë