2 pacientë 58 dhe 59 vjeç kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit në spitalin Infektiv në Tiranë, që sipas MSH-së kishin sëmundje shoqëruese dhe prej disa ditësh ndodheshin të shtruar në terapi intesive. Ndërkohë që ka një rënie të lehtë të numrit të rasteve të reja, ku nga 397 testime që janë kryer, 69 kanë rezultuar pozitiv me Covid 19.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 24 raste në Tiranë, 9 në Krujë, 8 në Kukës, nga 5 raste në Vlorë, Berat, nga 3 raste në Elbasan, Lezhë, Kavajë, nga 2 raste në Shkodër, Kurbin, Korçë dhe nga 1 rast në Divjake dhe Lushnje.

Ndërkohë që ajo që vërehet shqetësuese në njoftimin e sotëm të Ministrisë së Shëndetësisë, është numri i lartë i personave të shtruar, ndërsa ka shkuar në 4 numri i pacientëve të intubuar, numri më i lartë ditor që prej fillimit të pandemisë.

”Situata serioze në spitalin infektiv ku ka dhe mosha të reja të shtruara, kërkon reflektim nga ana e qytetarëve për të ruajtur distancimin fizik, për të ruajtur higjienën personale, për të mbajtur maskën në ambiente të mbyllura, apo kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca fizike prej të paktën 1.5 metër”, është apeli i Ministrisë së Shëndetësisë.

Njoftimi i plotë i Ministrisë:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon për situatën epidemiologjike në vend në 24 orët e fundit. Fatkeqësisht, dy qytetare nuk e kanë fituar dot betejën me Covid19 në spitalin infektiv, ku po trajtoheshin në terapi intensive si pasojë e simptomave të rënda të shkaktuara nga Covid19.

Pacientet 58 dhe 59 vjeç nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, nuk mundën të mbijetojnë megjithë përpjekjet e mjekëve dhe terapinë e trajtimit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerave.

Situata në spitalin infektiv paraqitet serioze, ku ka rëndim të gjendjes shëndetësore të pacientëve në terapi intensive dhe është rritur numri i pacientëve të intubuar.

Aktualisht janë të shtruar 83 pacientë në spital, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rënde. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 397 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 68 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 24 raste në Tiranë, 9 në Krujë, 8 në Kukës, nga 5 raste në Vlorë, Berat, nga 3 raste në Elbasan, Lezhë, Kavajë, nga 2 raste në Shkodër, Kurbin, Korçë dhe nga 1 rast në Divjake dhe Lushnje.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 47 qytetarë, duke e çuar në 1791 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1232 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bën thirrje të gjithë qytetarëve të ndërgjegjësohen për respektimin e masave të vendosura. Situata serioze në spitalin infektiv ku ka dhe mosha të reja të shtruara, kërkon reflektim nga ana e qytetarëve për të ruajtur distancimin fizik, për të ruajtur higjienën personale, për të mbajtur maskën në ambiente të mbyllura, apo kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca fizike prej të paktën 1.5 metër.

Bizneset duhet të marrin të gjitha masat për zbatimin e protokolleve të higjienës të miratuara nga autoritetet shëndetësore, për të ruajtur punonjësit dhe qytetarët.

(E.K/Faxweb.al) 

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re