Shqipëria ka arritur nivelet më të larta për pjesëmarrjen e popullsisë si forcë punëtore. Të dhënat e fundit të Institutut të Statistikave citojnë shifra në rritje të njerëzve të cilët janë në marrëdhënie pune apo janë duke kërkuar punë, duke ulur kështu numrin e personave që janë ekonomikisht jo aktivë.
Gertiola Çepani, përgjegjëse e shërbimit të punësimit, tha në emisionin “Sheshi i Dollarit” se ka pasur një interes të madh të të rinjve dhe grupmoshave të tjera për të aplikuar për vende të lira të punës.
“Kemi parë një rritje dhe interes të madh si të të rinjve apo grupeve të tjera për të ardhur për t’u regjistruar dhe për të aplikuar për vendet e lira të punës. Dinamika e tregut të punës duket më mirë, punëdhënësit kërkojnë më shumë persona pëe t’u punësuar dhe kërkuesit janë më shumë në lëvizje për të gjetur atë që dëshirojnë si një kurs profesional, një program nxitje punësimi apo punësim të qëndrueshëm në tregun e punës.”, theksoi Çepani.
E pyetur nga gazetarja Genta Dobra nëse kjo sinjalizon një përmirësim të situatës të tregut të punës pas goditjes që mori ekonomia shqiptare për shkak të pandemisë, Çepani shtoi se ndryshimi është i dukshëm. Megjithatë, ajo shtoi se targeti i vështirë janë personat mbi 45 vjeç.
Integrimi i kësaj grupmoshe në punësim është më i vështirë për shkak të kërkesave që kanë punëdhënësit si përshembull dixhitalizimi, fushë në të cilën shpesh ata hasin probleme.
“Nëse i referohemi treguesve tanë, jemi në shifra të mira dhe punësimet janë në rritje. Kemi një dinamikë të tregut të punës krahasuar me pjesën e pandemisë. Ndryshimi është shumë i dukshëm. Në fakt, të rinjtë janë më të aktivizuar. Tek ne janë në aktivë dhe kanë më shumë interes për të marrë pjesë në punësim, kurset apo programet që ofrojnë. Shikojmë një rritje të interesit të tyre për t’u përfshirë në tregun e punës. Në databasin tonë kemi edhe një pjesë të madhe të moshës mbi 45 vjeç dhe integrimi dhe punësimi i tyre bëhet pak më i vështirë në varësi të kërkesave që kanë punëdhënësit. Nëse i referohemi vetëm dixhitalizimit, kuptojmë që tregu ka nevojë për fuqi më të kualifikuar.”, shtoi ajo.
Një pjesë e sektorëve vuajnë edhe mungesën e fuqisë punëtore. Çepani tha se më shumë që vuan nga kjo është industria përpunuese, e cila ka edhe numrin më të madh të vendeve të lira të punës. Ajo shtoi se janë optimist për shifrat e punësimit si për pjesën e kërkesës dhe ofertën në tregun e punës.
“Duke pasur programe shumë aktive dhe të mira për të gjithë targetet që kemi pretendojmë një rritje të ofertës dhe kërkesës. Duke rritur aftësimin profesional dhe aftësitë e punënërkuesve, ne pretendojmë edhe një plotësim më të madh të vendeve të lira të punës që shpallin punëdhënësit në institucionin tonë.“, përfundoi ajo.