Skip to content

Rritet në 17.134 numri i të vdekurve nga tërmetet në Turqi

Të paktën 17.135 njerëz kanë humbur jetën dhe 70.347 të tjerë janë lënduar nga dy tërmetet e forta që goditën Türkiye-n jugore në fillim të kësaj jave, njoftoi Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Tërmetet e së hënës me magnitudë 7,7 dhe 7,6, epiqendra e të cilave ishte në provincën Kahramanmaraş, u ndien nga 13 milionë njerëz në 10 provinca, duke përfshirë provincat Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Şanlıurfa.

Tërmetet u ndien në disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin.

AFAD tha në një deklarate se në terren aktualisht po punojnë më shumë se 120.344 pjesëtarë të ekipeve të kërkim-shpëtimit.

Gjithsej 30.360 njerëz janë evakuuar nga rajonet e goditura nga tërmeti, tha agjencia.

Sot presidenti Recep Tayyip Erdoğan, tha se gjithsej 6.444 ndërtesa janë shembur në zonën e tërmetit.

“Të hënën e kaluar, përjetuam tërmetin më të keq që ky rajon gjeografik ka parë ndonjëherë në historinë e tij”, theksoi ai.

Më herët gjatë ditës hyri në fuqi gjendja e jashtëzakonshme e shpallur nga presidenti Erdoğan të martën për dhjetë provincat e prekura për të përshpejtuar përpjekjet e shpëtimit dhe ndihmës.

Ekipet e huaja në terren

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se 95 vende dhe 16 organizata ndërkombëtare kanë ofruar dërgimin e ndihmës në Türkiye, ndërsa shumë vende dërguan ekipe kërkimi dhe shpëtimi, mjekë, spitale në terren dhe materiale ndihme në rajonin e goditur nga tërmeti.

Duke folur në kryeqytetin Ankara, Çavuşoğlu tha se personele prej gjithsej 6.479 personash nga 56 vende janë aktualisht në terren.

“Ekipet nga 19 vende të tjera do të jenë në vendin tonë brenda 24 orëve”, shtoi ai në konferencën e përbashkët për media me Tahsin Ertuğruloğlu-n, homologun e tij nga Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC).

Përveç ekipeve të shpëtimit, batanijeve, tendave dhe produkteve ushqimore, në terren u dërguan edhe ekipe të mbështetjes psikologjike.

Gjithsej 97.973 tenda familjare janë ngritur për të strehuar të mbijetuarit, njoftoi AFAD.

Në mënyrë shtesë, në zonën e fatkeqësisë janë dërguar 10.363 automjete, duke përfshirë ekskavatorë, traktorë dhe buldozerë.

Ekipet në Şanlıurfa dhe Kilis përfunduan operacionet e tyre të kërkimit dhe janë dërguar në provincat e tjera, tha AFAD.
Burimi: AA