Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, më vdekjeprurësi në kujtesën moderne egjiptiane.
Autoritetet egjiptiane njoftuan të hënën vonë se numri i të vdekurve në sulmin e së premtes ndaj një xhamie në gadishullin e Sinait, territor i Egjiptit, është rritur në 309.
Siç bën të ditur Drejtoria e Shëndetësisë së Sinait Verior përmes një komunikate me shkrim, në mesin e viktimave ka edhe shumë fëmijë.
Të premten, sulmuesit bombarduan një xhami në qytezën Bir al-Abd të Sinait Verior, para se të hapnin zjarr mbi besimtarët që po falnin namazin e xhumasë.
Prokuroria egjiptiane theksoi të shtunën se rreth 27 fëmijë ishin në mesin e viktimave, ndërkohë që numri i të plagosurve ishte 128.
Autoritetet fillimisht kishin njoftuar se numri i viktimave ishte 305, shifër kjo që e bën sulmin terrorist të së premtes më vdekjeprurësin në historinë moderne të Egjiptit.
Edhe pse Prokuroria ka akuzuar një degë të ISIS-it prej 25-30 personash, ende asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Sinai.
Pas sulmit, Turqia njoftoi se të hënën do të ishte një ditë zie kombëtare. Flamujt qëndruan ne gjysmështizë mbi ndërtesat në Turqi përgjatë ditës së hënë për të mbajtur zi për viktimat e sulmit në Egjipt.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re