Ka shkuar në nëntë numri i personave të prekur nga koronavirusi në Kosove. Të dielën janë konfirmuar 4 raste të reja.

Lajmin e ka konfirmuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Sa i përket katër rasteve të regjistruara së fundmi, tre janë nga Malisheva, që të tre persona kontakti të një pacienteje të diagnostikuar pozitive me COVID-19 dhe një nga Podujeva. Ky i fundit raportohet të ketë ardhur nga Italia. Tashmë, qeveria e Kosovës ka futur në karantinë komunën e Vitisë, Malishevës dhe Klinës.

Vitia shkruan:

Të nderuar qytetarë, Para pak minutash bazuar në rezultatet e testimeve u konfirmuan edhe katër raste reja pozitive me virusin SARS-CoV-2 (coronavirus). Tri raste nga Komuna e Malishevës, që të tre persona kontakti të një pacienteje të diagnostikuar pozitive me COVID-19, me datë 14.03.2020 dhe rasti i katërt është personi nga Komuna e Podujevës. Përfshirë edhe rastet e mëhershme, tani më në Kosovë kemi të konfirmuara 9 raste pozitive me COVID-19. Bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, porsa kërkova nga Kryeministri, Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik. Të dashur qytetarë ju ftojmë të bashkëpunojmë në menaxhimin e kësaj situate. Kjo duke ndjekur rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, si dhe duke qëndruar në shtëpitë tuaja, që të kujdesemi për shëndetit njëri-tjetrit. Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ju faleminderit për mirëkuptim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re