Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) ka bërë të ditur se të paktën 4.544 persona kanë humbur jetën dhe 26.721 të tjerë janë plagosur në dhjetë provinca të Türkiyes pas dy tërmeteve të forta që dje goditën pjesën jugore të vendit.

Dje herët në mëngjes, një tërmet me magnitudë 7.7 goditi provincën Kahramanmaraş. Më pas, rreth nëntë orë më vonë, një tërmet me magnitudë 7.6 me qendër në Kahramanmaraş përsëri dridhi rajonin, duke prekur disa provinca të tjera, përfshirë Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Şanlıurfa.

Tërmeti u ndje edhe në disa vende të rajonit, përfshirë Libanin dhe Sirinë.

AFAD njoftoi se gjithsej 59.971 zyrtarë të urgjencës janë duke punuar në zonë, përfshirë 3.200 persona nga 65 vende.

Në një konferencë për media, ministri turk i Punëve të Brendshme, Süleyman Soylu, tha se të paktën 18 mijë xhandarë dhe afër 10 mijë policë janë dërguar në vendngjarje.

Siç njoftoi Soylu, të paktën 941 ndërtesa janë shembur plotësisht vetëm në Kahramanmaraş.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë

Sot më herët, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, nga Qendra Shtetërore e Koordinimit të Informacionit në kryeqytetin Ankara tha se “fakti që mbi 8 mijë qytetarë tanë janë shpëtuar nga rrënojat është lehtësimi ynë më i madh”.

Erdoğan njoftoi se Türkiye vendosi të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për tre muaj në dhjetë provinca, në mënyrë që operacionet e kërkim-shpëtimit dhe përpjekjet e tjera të kryhen me shpejtësi.

“Ne po përballemi me një nga fatkeqësitë më të mëdha jo vetëm të historisë së republikës, por edhe të gjeogradisë sonë dhe të botës”, tha presidenti Erdoğan.

Presidenti turk po ashtu theksoi se vendi i tij deri më tani ka marrë oferta për ndihmë nga 70 vende të ndryshme dhe 14 organizata ndërkombëtare.

Zv/presidenti turk, Fuat Oktay, nga ana e tij, njoftoi se gjithsej 380.500 persona të prekur u strehuan në konviktet e Ministrisë së Arsimit dhe të Ministrisë së Rinisë dhe Sporteve.

Oktay tha se një personel prej 3.294 personash të kërkim-shpëtimit arritën në Türkiye nga Azerbajxhani dhe Rusia.

“Ne po dërgojmë në Hatay mbi 1.600 ekipe shtesë të kërkim-shpëtimit, si nga jashtë ashtu edhe nga vendi”, tha ai në provincën jugore të Türkiyes.

Drejtori i përgjithshëm i tërmeteve dhe reduktimit të rrezikut në AFAD, Orhan Tatar, tha se rreth 5.775 ndërtesa u shembën nga tërmetet. Ai po ashtu theksoi se zona e ndikimit të tërmeteve mbulon afër 110 mijë kilometra katrorë.

Ndërkaq, ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum, tha se rreth 13.5 milionë qytetarë janë të prekur drejtpërdrejt nga tërmetet.

“Fatkeqësia më e madhe” që nga tërmeti i vitit 1939 në Erzincan

Türkiye është duke mbajtur një periudhë 7-ditore zie kombëtare pas tërmeteve vdekjeprurëse.

Të gjitha ngjarjet sportive në Türkiye janë pezulluar deri në një njoftim të dytë dhe të gjitha shkollat në Türkiye do të mbyllen deri më 13 shkurt, ndërsa shkollat në dhjetë provincat e prekura deri më 20 shkurt.

Partitë e përfaqësuara në parlament, respektivisht Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), Partia Popullore Republikane (CHP), Partia e Mirë (IYI), Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) dhe Partia Demokratike Popullore (HDP), gjithashtu lëshuan një deklaratë të përbashkët për lëkundjet.

“Si përfaqësues të Kryesisë së Parlamentit Turk dhe pesë partive politike që kanë grupe në parlament, ne qëndrojmë pranë dhe në shërbim të qytetarëve tanë”, thuhet në deklaratë.

Dje, presidenti Erdoğan tha se Türkiye me tërmetin u trondit nga “katastrofa më e madhe” që nga tërmeti i vitit 1939 në Erzincan.

“Shteti ynë ka marrë masa me të gjitha institucionet që nga tërmeti. Të gjitha burimet janë mobilizuar”, tha Erdoğan në zyrën e AFAD-it në kryeqytetin Ankara, ku po koordinonte punën e kërkim-shpëtimit dhe të ndihmës.

Türkiye krijon “korridorin e ndihmës ajrore”

Pas tërmetit, një “korridor i ndihmës ajrore” u krijua nga Forcat e Armatosura Turke për të dërguar ekipet e kërkim-shpëtimit në rajon.

“Ne mobilizuam avionët tanë për të dërguar ekipet mjekësore, ekipet e kërkim-shpëtimit dhe automjetet e tyre në zonën e tërmetit. Ne kemi maksimizuar gatishmërinë e avionëve për të ofruar shërbimin e nevojshëm të transportit”, tha ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Një numër i madh avionësh transporti, përfshirë një A-400M i Forcave të Armatosura Turke, filluan të dërgojnë ekipe dhe automjete të kërkim-shpëtimit në rajon. Akar tha se avionët e ambulancës po ashtu po përdorin “korridorin e ndihmës ajrore”.

Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, tha se një numër i mjaftueshëm ekipesh nga të 81 provincat janë në detyrë në zonat e fatkeqësisë dhe vazhdojnë shërbimet e tyre të kërkim-shpëtimit dhe ato shëndetësore.

“Ambulancat tona ajrore dhe tokësore gjithashtu janë në shërbim në rajon. Aktualisht po kryejmë koordinimin nga Hatay, një nga provincat e prekura nga fatkeqësia e tërmetit”, njoftoi ministri Koca në rrjetet sociale.

Pas tërmeteve, ngushëllime erdhën nga e gjithë bota, duke shprehur solidaritet me Türkiyen.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re