Skip to content

Rritet numri i të prekurve me Covid në Berat, të infektuar fëmijë, mësues dhe edukatorë, mbyllen disa klasa

Berati është kthyer prej disa muajsh në një nga qytetet me numrin më të lartë të të infektuarve nga Covid-19 në vend. Burime nga ISHP-ja Berat konfirmojnë se rastet e infektimeve kanë ardhur duke u shtuar nga java në javë dhe më të prekurit nga ky virus mbeten fëmijët e kopshteve e shkollave të qytetit.

Të njëjtat burime konfirmojnë se vetëm në 48-orët e fundit kanë rezultuar “pozitivë” 18 nxënës të disa shkollave 9-vjeçare e të mesme si dhe 6 mësues, ndërkohë që vetëm ditën e djeshme janë testuar edhe 64 nxënës të tjerë. Të prekur nga virusi SarsCov2 janë edhe 12 fëmijë në 4 kopshte në qytetin e Beratit si dhe 4 edukatore.

Mësohet se në të gjitha kopshtet e shkollat ku janë konstatuar rastet e të infektuarve janë dezinfektuar ambientet dhe janë mbyllur disa klasa. Infektimet janë shoqëruar edhe me humbje jete tek të miturit por edhe tek të rriturit, mes të cilëve edhe drejtori i njërit prej gjimnazeve më me emër në Berat, që ka edhe numrin më të lartë të nxënësve të infektuar.

Mjekët infeksionistë në ISHP-në Berat pohojnë se të infektuarit janë raste kontakti mes të infektuarve në kopshte e shkolla si dhe kontakte familjare. Sipas mjekëve, ky zinxhir në rritje infektimesh mund të ndërpritet vetëm nëpërmjet vaksinimit pasi-siç edhe pohojnë vetë ata-rastet e të infektuarve me Covid-19 janë të gjithë persona të pavaksinuar.

Mos respektimi i masave anti Covid e ka nxjerrë Beratin një nga qytetet më të ekspozuar dhe me rastet më të larta të të infektuarve me virusin vdekjeprurës Covid-19 si dhe me numrin më të lartë të vdekshmërisë në krahasim me popullsinë.

Ndërkohë që nga dita në ditë është duke u rritur edhe numri i testimeve, aktualisht në Berat numri i rasteve aktive ka arritur ne 168.(BalkanWeb)