Është rritur në të paktën 87 persona numri i të vdekurve, pas një sulmi vetëvrasës në një xhami, i cili kishte në shënjestër policët në provincën pakistaneze të Peshavarit, raporton BBC.

 

Xhamia është brenda një zone me siguri të lartë, aty ku ndodhet stacioni i Policisë, dhe një hetim është duke u zhvilluar për mënyrën se si sulmuesi ka hyrë brenda.

 

Kryeministri i Pakistanit dhe liderë të tjerë kanë dënuar aktin e së hënës – një nga sulmet më të rënda në vend në vitet e fundit.

 

Talibanët pakistanezë kanë mohuar përfshirjen në këtë sulm.

 

Dëshmitarët okularë i thanë dje Radio Mashaal se kamikazët që qëndronin në rreshtin e parë pas imamit, shpërthyen jelekët me eksplozivë derisa besimtarët, përfshirë shumë policë dhe zyrtarë të tjerë, ishin mbledhur për lutjet e pasdites në Xhaminë e Linjës së Policisë më 30 janar.

 

“Terroristët duan të krijojnë frikë duke vënë në shënjestër ata që kanë për detyrë të mbrojnë Pakistanin”, tha kryeministri Shehbaz Sharif, i cili shpalli ditë zie kombëtare.

 

Ekipet e shpëtimit janë ende duke u përpjekur të tërhequr besimtarët e mbetur në rrënoja.

 

“Operacioni i shpëtimit ka vazhduar për më shumë se 18 orë”, tha zëdhënsësi Mohammad Bilal Faizi.

 

“Trupat e 20 personave të tjerë janë gjetur dhe ka frikë se disa trupa mund të jenë ende nën rrënoja”.

 

 

Një zëdhënës i spitalit konfirmoi se më shumë se 100 persona mbetën të plagosur. Ndërkohë, funeralet janë kryer për më shumë se 20 policë, ku arkivolet e tyre janë mbështjellur me flamurin e Pakistanit.

 

Midis 300 dhe 400 policë kishin qenë në atë zonë në kohën kur ndodhi sukmi, tha më herët për mediat lokale shefi i policisë së Peshavarit, Muhammad Ijaz Khan.

 

Sharif tha se ata që qëndronin pas sulmit nuk kishin “asnjë lidhje me Islamin”. Ai shtoi se “i gjithë kombi po qëndron i bashkuar kundër kërcënimit të terrorizmit”.

 

Talibanët pakistanezë, të njohur si Tehreek-e-Taliban Pakistan (TTP) kanë marrë përsipër sulme të ngjashme në të kaluarën. Grupi radikal ka zhvilluar një kryengritje në Pakistan gjatë 15 viteve të fundit.

 

Që kur grup i ndarë nga qeveria talibane e Afganistanit i dhanë fund armëpushimit në nëntor, dhuna në vend është rritur që atëherë.

 

Në dhjetor grupi synoi një stacion policie – si Peshavar, në veriperëndim të vendit – duke çuar në vdekjen e 33 militantëve.

 

Shpërthimi i së hënës ndodhi rreth orës 13:30 gjatë lutjeve të pasdites në qytetin veriperëndimor, i cili është afër kufirit të vendit me Afganistanin./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re