Këtë vit, numri i turistëve që vizitojnë vendin tonë është rritur, ndërsa forca punëtore është shumë e ulët për të përballur fluksin.

 

Vasil Bedinaj, kreu i operatoreve turistikë për jugun, në një intervistë për Vizion Plus u shpreh se qarku i Vlorës ka hapur dyert dhe është në pritje të turistëve, ndërsa shtoi se kryebashkiaku në  ikje Dritan Leli e ka lënë “pas dore” mirëmbajtjen e qytetit.

 

“Duket sikur po fillon një sezon i mirë. Jemi 15% më lartë për muajin qershor në krahasim me vitin e kaluar. Bizneset kanë hapur dyert. Qarku i Vlorës është në gatishmëri dhe ka mbi një muaj që janë hapur dyert.

 

Kryetari në ikje është lodhur dhe nuk ndjen përgjegjësi dhe nuk është shqetësuar. Kryetari i ri nuk shfaqet agresiv se akoma s’ka marrë detyrën. Ky tranzicion nuk duhet të ndodhë në sezon turistik. Ne kemi kontakt me zyrat e tjera”, tha Bedinaj.

 

Kreu i operatoreve turistikë për jugun më tej shtoi se mungesa e forcës punëtore vendase ka bërë që bizneset të kthejnë syrë nga vendet e tjera. Një pjesë e punonjësve që janë punësuar në hoteleri-turizëm janë nga Nepali, të cilët plotësojnë disa kushte kryesore.

 

“Ky problem ka qenë dhe është, Unë kam punonjës nga Nepali e gjithë andej. Të gjitha bizneset kanë harxhuar shumë ditë për trajnimin e tyre. Jemi ok se janë të qetë dhe të fokusuar. Nuk na plotësojnë kushtet 100% por 60-70%. Më mirë të kemi diccka, sesa mos kemi fare. Kjo erdhi pasi i shfrytëzuam të gjitha kapacitetet tonë. Jemi shtrirë në qytete të tjera por nuk ka njerëz dhe kjo ka qenë alternativa e fundit që kemi zgjedhur”.

 

Bedinaj shtoi se ndonëse turizmi në Shqipëri ofron paga shumë të mira, të rinjtë gjithnjë e më shumë zgjedhin të largohen.

 

“Pagat në sektorin e turizmit janë rritur mbi mesataren. Një sanitare, pa eksperiencë e fillon me 50 mijë lekë të reja në muaj, menaxherët 200-300 mijë lekë, ekonomistët 150 mijë lekë të reja. Për çdo orë shtesë paguhen me pagesë ekstra. Të gjithë të rinjtë që duan të ikin jashtë duhet ta studiojnë tregun se sa u ngelen në fund të muajit andej e sa u ngelen në Shqipëri”.

 

Një tjetër kategori që po synohet në turizëm janë edhe arsimtarët apo sanitaret e shkollave, të cilët kanë pushime të mjaftueshme për të kryer një punë tjetër, por kjo kategori sipas Bedinajt po kufizohet nga drejtuesit e tyre, për shkak se thërriten në punë herë pas here.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re