Lufta në Ukrainë, përveç katastrofës humanitare, vrasjeve dhe shkatërrimeve në tokën e Ukrainës, ka dhe pritet të ketë pasoja ekonomike në të gjithë botën. Mjafton te shikojme se çfarë ndodh me çmimet e naftës dhe gazit.

 

Në një lidhje direkte për edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, eksperti i ekonomisë, Ardian Civici u shpreh se goditja kryesore u shkaktua nga lufta në Ukrainë. Mirëpo, sipas tij, pritej një rritje e çmimit të burimeve të energjisë si pasojë e postcovid.

 

“Goditjen kryesore e morëm nga konflikti në Ukrainë dhe çrregullimet që ndodhën nga tregjet. Çmimet e energjisë kishin tendencë të rriteshin si pasojë e post covid, siç u rritën shumë çmime të lëndëve të para. Pritej një rritje inflacioniste për gjithë vitin 2022, si për lëndët e para, ushqimet dhe burimeve të energjisë. Lufta çrregulloi tregjet kryesore të furnizimit edhe me gaz, naftë dhe deri diku me energji elektrike, për të mos folur pastaj për tregjet e ushqimeve.”

 

Por, si mund të mbrohet dhe t’i përballojë Shqipëria efektet e rënda të krizës?

 

“Pasojat ekonomike janë evidente, në po të njëjtën plan me pasojat ushtarake. Si pasojë e sanksioneve të rënda që iu vunë Rusisë, edhe në Rusi, monedha vendase ka një rënie drastike, disa banka janë duke shpallur falimentin. Sot, shumë nga vendet e varfëra i tremben një periudhe ku mund të përballen deri diku me kriza urie, si pasojë e shtrenjtimit dhe mungesës që kanë bazën e prodhimit ushqimor në treg. Rritja e çmimeve do të ndihet shpejt dhe në mënyrë të dhimbshme për gjithë ekonominë tonë…Sulmi është shumë i ashpër dhe shumë i egër në lidhje me çmimet e këtyre produkteve. Mbrojtja direkte, frontale, është shumë e kushtueshme për buxhetin dhe shpatullat e qeverisë shqiptare. Kostoja buxhetore do të jetë shumë e lartë.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re