Autoriteti i Konkurrencës pritet të hapë në ditët në vazhim një hetim të thelluar për tregun me pakicë të shërbimeve celulare.
Kryetari i Komisionit të Konkurrencës, Denar Biba, gjatë raportimit në Kuvendin e Shqipërisë, u shpreh se, nga të dhënat e hetimit paraprak, janë evidentuar të dhëna që justifikojnë hapjen e një hetimi të thelluar.
Procedura vjen pas disa ankesave të paraqitura pranë Autoritetit të Konkurrencës mbi rritjen e çmimit të paketave me parapagesë nga ndërmarrjet Vodafone Albania dhe One Albania.
Nga vlerësimi i informacionit gjatë monitorimit, u konstatua se sjellja e ndërmarrjeve Vodafone Albania dhe One Albania në tregun me pakicë të shërbimeve celulare mund të përbëjë kufizim të konkurrencës në kuptim të nenit nenit 4 dhe nenit 9 të Ligjit nr. 9121, datë 27.03.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Sipas “Monitor”, një përdorues shpenzoi vitin e kaluar mesatarisht pothuajse 9200 lekë për shërbime të komunikimeve celulare, 16% më shumë krahasuar me një vit më parë. Kjo vlerë mbështetet në treguesin e të ardhurave mesatare për përdorues të operatorëve celulare (ARPU) dhe llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me numrin total të përdoruesve aktivë.
Gjithashtu, shpenzimi mesatar i shqiptarëve për çdo minutë thirrje celulare vitin e kaluar u rrit në 5.54 lekë për minutë, në rritje me 16% krahasuar me një vit më parë. Kjo vlerë bazohet në treguesin e të ardhurave mesatare për minutë (ARPM), që llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me sasinë e minutave dalëse dhe tregon të ardhurat e sipërmarrësit për një minutë.Ulja e numrit të operatorëve celularë në vend ka ndikuar në shtrenjtimin e paketave të komunikimit.
Operatorët celularë kanë rritur çmimet për paketat bazë të komunikimit, si me parapagesë, ashtu edhe me kontratë, por ndërkohë kanë ulur edhe njësitë e përfshira të komunikimit në to, duke sjellë si rezultat një shtrenjtim edhe më të lartë të shprehur për njësi.
Sipas informacionit të raportuar në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), dy operatorët celularë fituan afërsisht 1.68 miliardë lekë për 2024, ndërsa viti 2023 ishte mbyllur me një fitim neto në vlerën e 370 milionë lekëve.
Vodafone Albania arriti një fitim neto në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, ndërkohë që një vit më parë kishte realizuar një fitim neto prej rreth 300 milionë lekësh.Një fitim më të vogël ka raportuar operatori i dytë One Albania, por që gjithashtu e ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin krahasuar me një vit më parë.
Sipas AKEP, One Albania e mbylli vitin 2024 me një fitim neto në vlerën e 476 milionë lekëve, nga 70 milionë lekë që kishte qenë rezultati i raportuar një vit më parë.Dy operatorët e rrjeteve celulare, Vodafone Albania dhe One Albania, vitin e kaluar raportuan të ardhura prej komunikimeve elektronike në vlerën 27.93 miliardë lekë, në rritje me 8.9% krahasuar me një vit më pare, raporton “Monitor”.
