Nga kjo e hënë në qytetin e Kukësit, është rritur çmimi i bukës me 10 lekë duke e shtrenjtuar edhe me shumë koston e jetesës së qytetarëve kryesisht për shtresat e varfra.

Sipas qytetarëve ndryshimi i çmimit të bukës ka një ndikim në kostot e përditshme duke shtrenjtuar jetesën ndërsa ankohen se me rritjen e çmimit të bukës por edhe produkteve të tjera ushqimore, jetesa do të bëhet e papërballueshme.

Rritja e çmimit të bukës do të ndikojë shumë sepse Kukësi është një ndër qytetet e varfra. Do ndikojë që lista e borxheve do të bëhen të gjata, fukuralliku është i tejskajshëm”, thotë një qytetar.

“Nuk është rritur vetëm buka por të gjitha ushqimet. Rrogat dhe pensionet kanë mbetur në vend, shumë e vështirë është për të jetuar”, u shpreh një qytetar tjetër.

“S’kemi të ardhura, unë vetëm një pension marr dhe nuk më del. Ilace dhe bukë na duhen. Më keq se kaq nuk ka ku të shkojë, nuk kemi kujt ti kërkojmë llogari. Gjitha ushqimet janë rritur, mishin vetëm e shikojmë në vitrinë nuk e marrim dot”, tha një pensionist.

“Ekonomia ka rënë në tokë dhe ne e blejmë bukën dyfish. Njerëzit janë pa punë, njerëzit po emigrojmë. Të gjithë njerëzit janë pa punë, mbledhim qindarkat për të blerë bukë”, u shpreh një qytetar tjetër.

Arsyeja kryesore është rritja e çmimit të miellit në tregun vendas me 5 lekë/kg që në fillim të muajit gusht. Shkak për këtë është bërë shtrenjtimi i miellit, si pasojë e mungesës së grurit që importojnë nga jashtë.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re