Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ditën e sotme se punonjësit e Kadastrës do të përfitojnë një rritje page të konsiderueshme.

Ai u ndal edhe te Kadastra e Vlorës, një prej institucioneve më problematike, duke theksuar se ata që i vijnë rrotull si ujqërit një preje duhet të ikin sepse nuk ka më Kadastër për ta.

“Rritja e pagave të Kadastrës do të jetë shumë e konsiderueshme. Do të paguhen nga shteti dhe jo nga qytetarët. Dhe për këtë kemi diskutuar. Unë përfitoj nga rasti t’i bëj apel atyre që janë profesionistë që të aplikojnë sepse realisht janë të domosdoshëm. Brenda Kadastrës ka plot njerëz që e dinë punën. Shpresoj që një pjesë e tyre të mbeten.

 Kushdo të iki do të jetë i falenderuar që po shpëtojmë prej tij. Sot që flasim kemi hyrë në këtë proces. Por deri dje Kadastra mund të certifikohej vetëm si një makinë mishi për të grirë prona dhe për të ngrënë jetë njerëzish. 9 drejtorë kadastre janë ndërruar në Vlorë deri ditën kur unë i numërova. Pastaj hoqa dorë nga numërimi duke u konsultuar me të gjithë. Lajmi im për të gjithë ata që i rrinë rrotull Kadastrës së Vlorës si ujqërit një preje është: Ikni se nuk ka më Kadastër për ju. Nuk e di sa ju e ndjeni se çfarë  ndjej unë kur them këto fjalë. Jemi të gjithë këtu përgjegjësit kryesorë për këtë situatë.

Ka qenë rasti më evident që nuk ka pushtet njeriu që mund ta bëjë punën që bën digjitalizimi. Kompjuteri që nuk ka nevojë as për nuse, as për krushq, as për parti. Nuk do të dijë as kush është deputet dhe kush është bandit. Thjesht bën punën mbi bazën e atyre që ka të regjistruar. Kjo është një ditë shumë e mirë për ne sepse ky është një ndryshim shumë i madh i vonuar për 1001 arsye. 101 janë arsye që i kemi krijuar ne”, deklaroi Rama.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re