Nga Efrosina Papa

Pas alarmit të OBSH dhe rritjes së rasteve me fruth në vendin tonë, në qendrat shëndetësore të Vlorës është shtuar interesimi i prindërve për të vaksinuar fëmijët.

Sipas mjekes pediatre në qendrën shëndetësore nr 4, Ergita Prendi çdo ditë paraqiten pacientët e vegjël për vaksinën.

“Edhe ata që i kanë vonuar janë interesuar. Fillimi i shfaqjes së rateve të fruthit i bëri më të përgjegjshëm që ta kërkojnë vaksinën”, thotë pediatrja Ergita Prendi.

Veç fruthit, në Vlorë ka edhe një situatë të rënduar gripale, ku mosha më e prekur dhe më e rrezikuar janë fëmijët.

“10 ditëshi i fundit i Janarit dhe muaji shkurt shënojnë me një rritje të ndjeshme të sëmundjeve respiratore, 700 vizita në javë ose raste të raportuara kryesisht mosha pediatrike por dhe mosha të rritura, por më së shumti mosha pediatrike. Kemi konstatuar që virusi që qarkullon më së shumti është virusi I gripit, nëse në dhjetor kishim 72 raste, në rezultatet e mostrave të janarit janë regjistruar 144 raste deri në datën 25, kjo shpjegon në një formë tjetër rritjen e sëmundshmërisë”, thotë Agron Bashllari, shefi i epidemiologjisë nëVlorë.

Shefi i epidemiologjisë bën apel për vaksinimin në kohë të fëmijëve, që siguron një mbrojtje të mirë./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re