Policia e Shtetit, në kuadër të planit për rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve, ka rritur prezencën në rrugë si dhe monitorimin me radarë  dhe dronë në akset rrugore Lezhë-Milot-Thumanë, Lezhë-Shkodër, Lezhë-Shëngjin dhe Lezhë-Rrëshen.

Bëhet me dije se si pasojë e këtij plani gjatë javës së shkuar janë arrestuar 7 shtetas, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë lirë 14 të tjerë, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Njoftimi i plotë i policisë: Lezhë

Policia Rrugore e Lezhës rrit prezencën në rrugë duke ushtruar kontrolle me dronë, radar dhe drager, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.  

Kontrollet me dronë janë përqendruar në akset rrugore Lezhë-Milot-Thumanë, Lezhë-Shkodër, Lezhë-Shëngjin dhe Lezhë-Rrëshen, për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve të mjeteve që kryejnë parakalime të gabuara dhe sjellje agresive në rrugë, të cilat janë rrezik potencial për përfshirjen në ngjarje rrugore me pasojë jetën.

Gjithashtu, po në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore janë intensifikuar kontrollet me radar dhe me drager, për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve të mjeteve që tejkalojnë normat e lejuara të shpejtësisë dhe drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Gjatë javës që lamë pas janë arrestuar 7 shtetas dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 14 të tjerë, për drejtim mjeti në gjendje të dehur/nën efektin e alkoolit ose pa leje drejtimi.

Si rezultat i këtyre kontrolleve janë tërhequr 91 leje drejtimi, janë vendosur 413 masa administrative për parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme dhe 368 masa administrative për tejkalim shpejtësie.

Policia Rrugore e qarkut Lezhë apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, si dhe falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata të denoncojnë në numrin 112, çdo shkelje të Kodit Rrugor, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

loading…

/faxweb