Situata në spitalin Infektiv vijon të paraqitet e rënduar, bëri me dije ministria e Shëndetësisë ditën e sotme në një komunikatë për shtyp.

Teksa u deklarua se brenda 24 orëve të fundit kanë humbur jetën 4 persona, ndërkohë që janë regjistruar 83 raste të reja, bëhet e ditur se që nga nesër fillon zbrazja e spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe do të jetë në shërbim të pacientëve me COVID-19.

Kjo rritje e shifrave ka bërë që të përgatitet rihapja e spitalit COVID 2 pra spitalin “Shefqet Ndroqi”, ndërsa pacientët e Sanatoriumit do të transferohen tek COVID 3, në mënyrë që mos ti dërgojnë në Elbasan.

Kujtojmë që në fillim të pandemisë Sanatoriumi u bë spital COVID 2, por pasi numri i të infektuarve dhe të shtruarve u ul, ai u mbyll, ndërsa tani është marrë vendimi të rihapet.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apeloi edhe një herë për më shumë kujdes, edhe gjatë pushimeve dhe sezonit turistik.

“Mos e ulni vigjilencën dhe respektoni rregullat e higjienës. Pastrimi dhe dezinfektimi duhet të zbatohen me rigorozitet në bare, restorante, shezlonge dhe në çdo ambient. Stafi i shërbimit në kontakt me pushuesit apo vizitorët duhet të mbajmë domosdoshmërisht maskë. Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127. Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID19.”

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re