Numri i migrantëve nga Turqia që hyjnë në Evropë u rrit ndjeshëm vitin e kaluar kur njerëzit që shpëtuan nga konflikti në Siri dhe Afganistan përmbytën vendin dhe më pas u drejtuan për në Greqi, tha Fabrice Leggeri, drejtori ekzekutiv i Frontex, Agjensia Evropiane e Kontrollit Kufitar dhe Rojet Bregdetare.

“Më shumë se 82,000 migrantë u përpoqën të hyjnë në Evropë pa autorizim në vitin 2019, me 46 përqind më shumë se një vit më parë”, tha Leggeri për Reuters.

“Kjo është kryesisht për shkak të situatës në Siri, por edhe paqëndrueshmërisë në Afganistan dhe ndryshimit të politikës ndaj shtetasve afganë nga autoritetet iraniane dhe pakistaneze”, u tha Leggeri gazetarëve.

Bashkimi Evropian ra dakord në vitin 2016 t’i sigurojë Turqisë deri në gjashtë miliardë euro ndihmë për refugjatët dhe stimuj të tjerë, si një mënyrë për të bindur qeverinë e Ankarasë që të ndalojë nisjen e migrantëve drejt Greqisë.

Sidoqoftë, që prej verës së kaluar, ishujt në Greqinë lindore po përpiqen të lehtësojnë mbipopullimin në kampe refugjatësh.

Frontex tha se numri i mbërritjeve vitin e kaluar ishte më i larti që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes BE-Turqi.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se vendi i tij nuk mund të mbajë barrën e strehimit të 3.6 milion refugjatëve sirianë, dhe në të kaluarën ka kërcënuar se do të “hapë porta” për migrantët që shkojnë drejt Evropës.

Ai po kërkon më shumë para nga BE, dhe duket se pala evropiane ka të ngjarë të pajtohet.

Ankaraja gjithashtu kërkoi ndihmë politike dhe financiare nga BE në krijimin e një zone të sigurt në veri të Sirisë, ku njerëzit që shpëtojnë nga konflikti mund të strehohen ose dërgohen nga Turqia, por evropianët nuk kanë dëshirë të përfshihen, sipas Reuters.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re