Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar një rritje të infektimeve të reja me Covid-19. Për këtë arsye, qeveria ka lajmëruar masa të reja për të ndalur përhapjen e virusit.

Në 14 shtator do të hyjë në fuqi një ligj i ri, që ndalon grumbullimet sociale të mbi gjashtë personave. Nga ky rregull përjashtohen vetëm shkollat dhe vendet e punës, ku ka rregulla të ashpra për të frenuar përhapjen e Covid-19.

Kryeministri Boris Johnoson në një konferencë për shtyp, shpjegoi se policia do të ndërhyjë në rastet kur ligji nuk respektohet. Personat që shkelin ligjin, rrezikojnë të shpërndahen nga policia, të gjobiten dhe të arrestohen.

“Këto masa nuk janë një izolim i dytë kombëtar. E gjithë përpjekja është pikërisht që të evitohet një mbyllje kombëtare e dytë“, tha Johnson gjatë konferencës.

Në Mbretërinë e Bashkuar, grupimi me numrin më të lartë të infektimeve, janë personat e moshave 20-29 vjeç.

Vetëm në 24 orët e fundit, ka patur 2659 të infektuar me Covid-19, ndërkohë që gjatë muajve të verës, shifrat e infektimit ranë ndjeshëm. Përshembull në 22 korrik pati vetëm 560 raste.

Siç tregon edhe grafiku i mëposhtëm, shtatori ka sjellë një rritje të konsiderueshme të rasteve.

Qeveria britanike është kritikuar edhe për faktin se ka patur raportime, që në disa zona, qytetarët nuk kanë mundur të testohen, për shkak se laboratorët kanë arritur kapacitetin maksimal. Duke folur në parlament, Johnson tha se Britania po teston një numër rekord qytetarësh dhe se ditët e fundit ka patur një rritje shumë të lartë të kërkesave për testime.

/TPZ.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re