Nga Pranvera Borakaj

Sapo kemi nisur një vit të ri, i cili supozohet të sillte një energji të re, një shpresë të re, një dëshirë më të madhe për t’i bërë gjërat ndryshe, më mirë. Por duket se jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë e më gjerë, depresioni social është ulur këmbëkryq dhe zymtësia nuk është vetëm karakteristikë e stinës që po kalojmë por refren i çdo dite.

Në një popullsi të vogël si Shqipëria, ku vetëm online numërohen 800 media, pa përfshirë këtu ato tradicionale një ngjarje ndoshta në dukje banale dhe që nuk përbën fare lajm, shumëfishohet, stërhollohet, gazetarët futen në detaje aq intime, qytetarët çlirojnë gjithë energjinë negative me komente në rrjetet sociale dhe rezultati është shumë zhurmë për asgjë.

Imagjinoni gjithë ky angazhim të shkonte për gjëra që realisht kanë vlerë, sikur debati të bëhej për arsimin, për vlerat e shoqërisë, si ta bëjmë shëndetësinë më eficiente, si të bëhet administrata më produktive, si të luftohet korrupsioni, si të zhvillohet ekonomia prodhuese, si të bëhen të rinjtë të aftë, të reduktojmë analfabetizmin funksional, si të menaxhohen paratë publike, si të bëhet ndarja e pushteteve, dhe qytetari të zgjedhë politikën dhe jo politika të kontrollojë qytetarin, si drejtësia të jetë e pavarur dhe e barabartë për të gjithë dhe jo të varet nga gjoja më i miri dhe të shërbejë si instrument për të goditur aty ku klanet prishen.

Imagjinoni sikur realisht këto e shumë të tjera të ishin objekt i diskutimit dhe debatit të sotëm.

Por jo!

Liria e medias, në Shqipëri, si fatkeqësisht në të gjithë botën vetëm bën hapa pas. Ne na mungon debati, argumenti, analiza reale.

Kudo dëgjon thashetheme dhe muhabete kafenesh, por jo përplasje idesh, se PS nuk del me PD e Berishës dhe këta të PD së Berishës nuk dalin me këta të PD-së së Bashës. Dhe në mungesë të përplasjeve politike, gjithçka ofrohet është përplasja e analistëve me pagesë që qartazi ca janë me Ramën e ca me Berishën. Kështu mbushen studiot çdo natë, larg debatit dhe problemeve reale, me ministra e deputetë indiferentë dhe me një qeveri që në mandatin e tretë është shumë larg entuziazmit të dikurshëm për të ndarë opinione dhe vizionet e vërteta me publikun, veçse postimeve në Instagram a Facebook.

Shqipëria e 2024 nuk ofron ende ndonjë gjë më shumë se ajo që lamë pas. Politika po ajo, demokratët që dy vite më parë luftonin të merrnin selinë, tani kanë lëvizur disa rrugica më tej, poshtë pallatit të Berishës, duke na treguar edhe njëherë që beteja bëhet për individ, jo për ide dhe kauza qytetare.

Mazhoranca edhe pse do ndihej komode dhe e konsoliduar në nisje të një dekade të re në pushtet, është si me zemër të ngrire, kush do bëhet kurban i ri nga SPAK-u, e kush nga kryeministri me ndryshimet në qeveri. Meta që premtoi revolucion në 2023 me Partinë e Lirisë, për fat të keq në emër të lirisë personale a familjare ka kyçur gojën dhe ka kufizuar ndjeshëm angazhimin e tij. Ndoshta ka preferuar një dalje nga politika me pak të zhurmshme e të dhimbshme se Berisha.

Nuk po flas për Bashën, me bindjen se ditët e tij më të mira, nëse mund të quhen të tilla janë shumë kohë më parë, e gjithçka mund të prodhojë tani përveç ndonjë humori është, në ca shkallë të gjyqësorit e ka vulën.

Për mos harruar Gaz Bardhin dhe aleatët e vegjël, që kërkojnë të mbledhin copat e superkonsumuara të një puzzle për të na krijuar një pikturë që i ka dalë boja me kohe.

Kjo është politika e vjetër e këtij viti të ri, që me gjasë do prodhojë goxha surpriza rrugës.

E ndërsa për të kuptuar politikën presim nga SPAK-u, për të kuptuar portofolin tonë le të shpresojmë që mos të ketë luftë në Ukrainë, mos të na ndodhë ndonjë tërmet tjetër, e të mos rishfaqet ndonjë pandemi, se pagat për administratën e tejfryrë i paguajmë dhe pagesat për rrugët e bëra nga buxheti i shtetit i paguajmë, madje po na rritet edhe uji, prapë e paguajmë, dhe për gjobat nuk themi gjë, dhe për abuzime me koncesionet, PPP, inceneratorët, detyrime gjyqësore, prapë nuk themi gjë. Se ne kemi me çfarë merremi. Rroftë TikToku, Instagrami dhe Facebooku dhe këtë vit. Për sa kohë të ketë ofertë dhe internet jemi të gjithë të lumtur në botën tonë virtuale ku problemet dhe hallet janë gjithmonë të të tjerëve.

/Vizionplus.tv/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re