19 korrik Rruga “Muzak Topia”, e njohur si rruga e Kalasë, është drejt përfundimit të punimeve dhe do të lehtësojë lëvizjen drejt siteve turistike.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, inspektuan punimet që po kryhen në këtë rrugë, që është edhe një investim i domosdoshëm për banorët e kësaj zone emblematike të qytetit.

“Drejt përfundimit rruga e re e Kalasë, që brenda këtij sezoni turistik do të ndryshojë krejtësisht cilësinë e kësaj pjese mahnitëse të ofertës turistike të qytetit, me kushtet e transformuara të lëvizjes e me pamjen e saj të re”, – tha Rama.

Kryebashkiaku Demo tha se “janë kryer 90% e punimeve, jemi në segmentin që vazhdon edhe në drejtim të Manastirit. Rruga ka të gjitha standardet dhe dy autobuza me turistë mund të shkëmbehen me njëri-tjetrin pa asnjë lloj problemi”.

Kryeministri Rama kërkoi që edhe një lapidar që ndodhet në rrugën e Kalasë të restaurohet, për ti dhënë një pamje tjetër.

“Të flasim me skulptorin Agim Rada ti bëjmë një restaurim të plotë, jo me lyerje”, – tha Rama.

Kryebashkiaku Demo u shpreh se “ky lapidar është një atraksion më vete sepse shumë turistë që vijnë bëjnë foto në këtë lapidar”.

“Muret anës rrugës janë punuar brenda traditës së punimit të gurit që ne kemi si qytet. Banorët rreth kalasë e i kanë kthyer shtëpitë e tyre në bujtina për të mirëpritur turistët”, – tha Demo.

Kryeministri Rama u shpreh se “metri apo kilometri i fundit që mbetet gjithmonë si zakon i pa kuruar duhet të kurohet. Të bëhen shtrimet perfekte dhe të  gjitha rregullimet”.

Demo tha se “me rregullimin e rrugës interesi i banorëve për të restauruar shtëpitë e tyre është rritur”.

Rruga e re në Kalanë e Beratit do të ndryshojë krejtësisht cilësinë e kësaj oferte të rëndësishme turistike.

/k.s/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re