Koordinatori i lëvizjes “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj zhvilloi takimin e radhës në Delvinë, ku para mbështetësve të tij ai foli për rrugëtimin që ka nisur.

Sipas Lapajt, kjo është një rrugë e vështirë, por që duhet bërë sepse çdo gjë ka limit. Në fjalën e tij, ai u shpreh se njerëzit kanë frikë, por kjo nuk duhet të ndodhë, sepse sa më shumë “kemi frikë ne, aq më shumë pasurohet një pakicë e vogël njerëzish”.

“Kjo është një rrugë e vështirë, pore që duhet bërë. Duhet bërë sepse u teprua, u derdh dhe çdo gjë ka limit. Për ne do ishte më e thjeshtë që secili të ndiqte rrugën e karrierës, të  shikonte interesat e vet, kjo do ishte rruga më e lehta që çdo njeri i pas komunizmit e bën këtë. Edhe ne kemi halle, edhe ne paguajmë drita. Edhe ne na duhet të çojmë fëmijët në shkollë, por duhet ta bëjmë edhe këtë. Edhe ne kemi frikë, edhe unë kam frikë, njeri është një qenie që ka frikë. Po frikë për çfarë, frikë për bukën e gojës, frikë për të ikur nga mjerimi, se unë nuk e kuptoj se për çfarë duhet të këtë frikë një shqiptar i zakonshëm. Sa më shumë frikë kemi në aq më shumë pasurohet një pakicë njerëzish në Shqipëri. Frikë ne, 300 mln euro koncesioni i sterilizimit, frike ne, 400 mln euro koncesioni i inceneratorëve, frikë ne 3 mln euro për koncesionet e tjera. Frika jonë është pushteti i tyre. Ne nuk mund të kemi frikë që të kërkojmë dinjitet”, tha në fjalën e tij Lapaj.

Sipas tij të gjitha abuzimet në Shqipëri duhet të marrin fund, ndërsa theksoi se lëvizja nuk ka dalë që përfaqësuesit e saj të kërkojnë poste, por për të ndryshuar Shqipërinë.

“Ne nuk kemi dalë të kërkojmë poste, ne kemi dalë me një platformë të qartë për të kërkuar ndryshimin e Shqipërisë. Kemi dalë me një paketë ndryshimesh ligjore dhe kushtetuese: Kërkojmë hapjen e sistemit, dhënien fund të sistemit të kryetarokracisë. Duhet të hapet gara që përfaqësuesit të zgjidhen vërtet  nga popullit, që mos shkojë në parlament ai që do kryetari, por ai që do qytetari. Ne po kërkojmë votën e diasporës”, tha Lapaj.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re