Skip to content

Rrugët i ndërton me 24 mil euro kilometrin. Koha që të bashkohemi socialistë, demokratë dhe të paparti




VALENTINA MADANI/ Ish-Kryeministri Sali Berisha akuzoi dje Kryeministrin Rama dhe ministren Belinda Balluku për luks të shfrenuar në një kohë kur babëzia e tyre ka varfëruar jetesën e shqiptarëve.

Sipas tij, qeveria ndërton rrugë me 24 milionë euro kilometrin dhe vjedh mbi 90 % të fondit të punëve publike. Gjatë takimit me qytetarët në Roskovec, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Erdit Hazizaj, Berisha denoncoi se Balluku porosit biftek deri në 1 mijë euro. Rama udhëton me avion 22 milionë euro shpenzime, sepse bufi shkon në Antalia me pensionet e invalidëve.

Balluku porosit biftekun 1 mijë euro. Për këtë qytetarët janë inferiorë, janë qenie të dorës së dytë. Këta në çdo punë publike vjedhin 90 % të fondit. Ndërtojnë rrugë me 24 milionë euro kilometrin. Në Tiranë na doli pylli 1 milionë pemë. Vjedhja e tyre ka kufij vetëm qiellin. Kjo do të thotë një pyll 600-900 hektarë. Po pse e shpall 1 milionë? Vjedh paratë e fidanëve dhe thotë që unë i mbolla. Një shofer taksie i thotë një mikut tim “si je, si të del hesapi”. Do iki tha. Pse do ikësh? Sepse bleva një traktor dhe solli qeveria 2 mijë traktorë… Ua nxijnë jetën, nuk lënë gjë pa bërë për t’i përzënë nga Shqipëria. Rama blen vazon e lules 4 milionë euro për tek oborri i Kryeministrisë.

Veliaj blen vazon e pishës me 5600 euro. Edhe fidan floriri të ishte, nuk kushtonte aq. Ne kemi naftën më të shtrenjtë, barazi me gjermanët dhe Zvicrën. Kjo vetëm për të mbushur arkën Edi Rama. Dy vitet e fundit nga HEC-et e reja të prodhuara janë prodhuar 2 miliardë kilovat orë më shumë. 500 milionë euro ka importuar Rama energji me paratë tuaja. Digat i zbardhin tani gjatë verës. Pasi i zbrazin, kthehen dhe blejnë energji me paratë tuaja”, u shpreh Berisha. Lideri demokrat ftoi shqiptarët që të votojnë kundër kësaj maxhorance, e cila, sipas tij, ka rrënuar jetesën e tyre. “Votojmë më shumë se kurrë për të ardhmen e Shqipërisë. Ne jemi në një moment kur vendi po shpërbëhet. Ndaj dhe të bashkohemi. Socialistë, demokratë, të paparti. Nuk është çështja këtu vetëm për kryetarin e bashkisë, por për mesazhin e fuqishëm të ndryshimit në Shqipëri”, u shpreh Berisha.

DENONCIMI

Ish-Kryeministri Sali Berisha denoncoi dje se kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Patosit është emëruar pasi ka dhënë një valixhe me euro. Berisha njoftoi se e shoqja e kandidatit të PS-së për Patosin është arratisur në Londër, pasi rezulton të jetë e shpallur në kërkim për vjedhjet në Hipotekën e Sarandës. “Përpjekjet për zhbërjen e familjes, përpjekjet për t’i shndërruar prindërit në numra. Përpjekjet për t’u mohuar fëmijëve gjininë që i ka dhënë zoti. Edi Rama që po bën 25 vite në pushtet, ka sot në duart e tij të gjitha pushtetet. A ka mëkat më të madh ndaj vetes sonë e fëmijëve tanë sesa t’i japim prapë pushtet atij që e ka shfrytëzuar në mënyrën më të keqe. Kandidati i Ramës këtu është një shushunjë e pashpirt. Janë ‘Fatjonët’ e OSHEE-së që prenë faturat e arrestimit të 38 mijë qytetarëve për energjinë elektrike.

Askund në botë një çështje civile nuk trajtohet si çështje penale. Edhe në Librazhd Rama ka emëruar dikë që është përgjegjës për burgosjen e të paktën 200 qytetarëve”, deklaroi Berisha. Sipas tij, kanë kryer krime antikushtetuese. “Lopatën e ka kapur vetëm për t’u hedhur hi syve qytetarëve. Unë ju bëj thirrje juve, socialistëve të Patosit, që nuk i ka pyetur kurrë njeri për Fationit, t’i kërkojnë Fationit të ballafaqohet këtu në skenë me Sofinë. Fationi u emërua me valixhe me euro. E shoqja e Fationit është në arrati në Londër. Mos e pranoni në asnjë mënyrë në fushatë pa sjellë të shoqen. Këta kanë humbur çdo cipë, s’kanë respekt për qytetarët.

E shoqja është në kërkim, pasi ka bërë batërdi në Hipotekën e Sarandës. Po sille njëherë të shoqen para ligjit ti dhe pastaj hajde kandido. A ka fyerje më të madhe për qytetarin sesa të sjellësh një kandidat që ka të shoqen me mandat arresti? Kjo ndodh vetëm në Shqipëri, vetëm aty ku krimi ka gjithçka në dorë. Unë nuk mund t’ia çelin kurrë derën atij. Edhe ky në Londër ishte, nga Londra ka ardhur këtu. Nuk ka ngel gjë tjetër vetëm se t’i nxjerrim nga burgu dhe t’i sjellim të kandidojnë për kryebashkiakë”, u shpreh Berisha.

“”