Shorti i hedhur mesditën e sotme në Nyon të Zvicrës ka zbardhur skenarin e plotë të fazës me eliminim direkt në Champions League, duke përcaktuar jo vetëm çiftet e 1/8-ave, por edhe rrugën drejt finales së madhe.

Shorti ka prodhuar përplasje pretendentësh që në start, me Real Madrid që do të sfidojë Manchester Cityn në një finale të parakohshme. Fituesi i këtij çifti do të gjejë përballë në çerekfinale fituesin e duelit Atalanta-Bayern Munich.

Në të njëjtën anë të tabelës, Liverpool, nëse kalon Galatasaray, do të ndeshet me fituesin e PSG-Chelsea, duke krijuar mundësinë për një tjetër super-përballje si PSG-Liverpool.

Në krahun tjetër, Barcelona dhe Arsenali duket se kanë një rrugë më të favorshme në letër. Katalanasit, nëse kalojnë Newcastle, do të presin fituesin e Atletico Madrid-Tottenham.

Ndërkohë, “Topçinjtë” e Londrës, nëse kalojnë Bayer Leverkusenin, do të kenë një çerekfinale më të lehtë ndaj fituesit të çiftit Bodo/Glimt-Sporting Lisbona.

Kur luhen fazat e ardhshme të Champions League?

Roundi i 16: 10/11 dhe 17/18 Mars 2026

Çerekfinale: 7/8 dhe 14/15 Prill 2026

Gjysmëfinale: 28/29 Prill dhe 5/6 Maj 2026

Finalja: 30 Maj 2026 (Budapest)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re