Diana është 27 vjeçe. Ajo ka mbaruar fakultetin e Gazetarisë si dhe atë të Marketingut, por pavarësisht kësaj, nuk ka mundur të gjejë një punë në këto profesione. Sot ajo nuk është e papunë, pasi po mëson një zanat, të qepë.

Në intervistë për median, ajo thotë se zgjodhi të mësojë të jetë rrobaqepëse, sepse dëshiron të krijojë veshjet e saj. Me njohuritë e saj për rrjetet sociale dhe shitjet, ajo shpreson që të kthehet në një sipërmarrëse të vogël, duke shitur rrobat online.

Vij nga gazetaria e marketingu. Në një hulumtim të tregut, vura re se veshjet e fasoneria ishin në rritje, sidomos me zhvillimet e rrjeteve sociale që janë të lidhur me rrjetet online. Më lindi dëshira që të krijoj një brand timin.”-tha 27 vjeçarja.

Dhe duket se shumë të rinj, po e shohin zgjedhjen e një zanati, si një rrugë që nuk do t’i lërë papunë. Redona po ashtu, ka nisur një kurs falas për të mësuar kuzhinën. Ajo shprehet shumë optimiste, se punën do ta gjejë falë zanatit të kuzhinieres.

“Kam zgjedhur këtë kurs sepse kuzhina më pëlqen si profesion. Po mësoj gjëra të reja, që në kushtet e shtëpisë nuk do t’i mësoja”-tregoi ajo.

Por nuk janë vetëm mosha e reja, ato që e gjejnë zgjidhjen tek përvetësimi apo aftësimi tek një zanat. Shpëtimi ka vite që punon si saldator dhe ka ardhur në një kurs për të marrë një certifikim.

“Erdha për diplomën për t’u aftësuar më tepër. E bëra me synimin për të bërë diçka më shumë, për të ecur përpara”

Drejtuesja e drejtorisë rajonale të formimit profesional, tregoi se shumë të rinj e zgjedhin përvetësimn e një zanati. Sipas saj, aktualisht kurset më të kërkuara janë ato për kuzhinë, pastiçeri, hidraulik, elektrik, panele diellore, sistemet ngrohës- ftohës, berberë, parukeri etj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re